Futboll

Një minutë heshtje, mirënjohja vdiq në futbollin shqiptar!

Sot ishte një ditë e trishtë për futbollin shqiptar… Fatmirësisht derbi nuk do të nisë me një minutë heshtje, por në futbollin tonë vdiq fjala “mirënjohje”. Largimi i Besar Musollit nga skuadra e Kukësit ishte një shuplakë e fortë për sakrificën, djersën dhe atë që shpesh kemi dëgjuar në futbollin tonë “burrërinë”. Senatori i Kukësit, “i fundit i Moheikanëve”, një nga simbolet e verilindor u largua pas 7 sezonesh me fanellën e klubit të Safet Gjicit.

Ka ngritur drejt qiellit çdo trofe të mundshëm, ka fituar gjithçka, ka sakrifikuar pafund. Ka qenë prej atyre që ka luajtur dhe me shiringa në ndeshje të caktuara, por u largua si një “hiç”. I dëmtuar rëndë në ligament, 29-vjeçari ka prishur marrëveshjen me mirëkuptim me skuadrën verilindore sipas njoftimit zyrtar të klubit. Megjithatë, janë “lakra” që nuk i ha askush më. Titullari i verilindorëve u largua në mënyrën më të trishtë, pavarësisht se thuhet se e ka derën e hapur.

Një hyrje që nuk i shtroi kurrë tapet të kuq, pavarësisht se e meritonte më shumë se kushdo. Një derë që nuk u përdor as në largim, pasi Musolli doli nga dritarja, a thua se ishte prej atyre që kanë ardhur kanë marrë paratë dhe janë larguar natën.

Futbolli shqiptar mori një shuplakë të madhe, pasi krijohet një tjetër precedent, ai i dëmtimeve të rënda. Kukësi nuk është klubi i vetëm që ka përdorur këtë rrugë, është në kulturën e thuajse çdo klubi shqiptar. Në futbollin tonë “super”, aty ku lojtarët duhet të kenë frikë të japin shpirt, apo “të lënë dhe këmbët” në fushë, pasi e shohin veten në mesin e 4 rrugëve. Kur ndodhi me Musollin, me atë, zëvendëskapitenin që në një intervistë të para pak ditëve për “Supersport” shpresonte të mbyllte karrierën me verilindorët dhe uronte të kishte një kontratë të re, imagjino me futbollistët e tjerë. Shumë “të paqëndrueshëm” janë dhe këta lojtarët tanë, sa shpejt ndryshojnë mendim, nga dëshira për të mbyllur karrierën te prishja e kontratës… të çuditshëm shumë!

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Më shumë nga Futboll