Një sulmues nga Suedia pritej tek ekipi i Tiranës

19 Janar 2019
11:36
back button

Tirana vijon të mos ketë lajme të “bujshme” në merkato. Skuadra bardheblu është duke punuar me qetësi, teksa vijon përgatitjet e dimrit për rinisjen e kampionatit. Mirëpo, ndonëse në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, u lajmërua se do të kishte lëvizje të rëndëishme te Tirana, deri më tani gjithçka ka rezultuar vetëm deklarata.

Trajneri Ardian Mema ka shprehur interesin e tij për të bërë disa përforcime, ndonëse nuk ka treguar repartet ku ka më shumë nevojë. Madje numri një i bankinës bardheblu, edhe pak ditë më parë deklaroi se do të ketë të paktën dy afrime në ditët në vijim. 

Gjatë kësaj periudhe Mema ka pasur në provë shumë lojtarë, të cilët nuk kanë bindur dhe janë larguar pa bujë. Pavarësisht se nuk është thënë publikisht reparti ku duhen përforcime, Telesport ka mësuar se mesfusha dhe sulmi ishin dy nga hallkat kryesore që kërkonin lidhje të fortë mes tyre. 

Për këtë arsye, Mema mësohet të ketë shfaqur interes për një sulmues me orgjinë nga Kosova. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Esat Jashari, pinjoll i familjes së njohur të Adem Jasharit në Kosovë. 

Esat Jashari ka luajtur në Suedi në ligat inferiore të futbollit me ekipin e Linkoping City, aty ku sezonin e shkuar ka shënuar 14 gola. Fillimisht është kërkuar nga klubi bardheblu që sulmuesi të vinte në Shqipëri për një provë, dhe më pas të shihej për arritjen e një marrëveshje të mundshme. 

Mirëpo lojtari nuk ka preferuar të vij fare në Shqipëri, teksa ka shfaqur pretendime të larta edhe për pagën. Ndërsa mësohet se Jashari, tashmë që është lojtar i lirë, ka vendosur të luajë në Kosovë, aty ku ende është në kërkim të një ekipi. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit