Një vit pa Kobe Bryant, lamtumira e parakohshme që përloti gjithë botën

26 Janar 2021
9:09
Telesport
back button

Më 26 janar 2020, e gjithë bota u trondit nga lajmi se një helikopter, me 9 persona në bord, ishte rrëzuar në rrethinat e Los Anxhelos. Në atë helikopter ishte Kobe Bryant, një nga ikonat e basketbollit botëror dhe të NBA-së, që humbi jetën bashkë me vajzën e tij Gianna dhe 7 persona të tjerë.

Askush nuk donte ta besonte atë lajm të trishtë, duke bërë që miliona njerëz të qëndronin para televizorit për të mësuar se çfarë kishte ndodhur. Për fat të keq, gjithçka ishte e vërtetë. Nga ai aksident nuk kishte mbijetuar asnjë dhe bota në atë moment ndali duke u përlotur nga ai lajm.

Kobe, i lindur në Philadelphia (1978), kishte kaluar shumë vite të jetës së tij në Itali, për të ndjekur babanë e tij Joe “Jellybean” Bryant. Më pas, zbarkimi në NBA e bëri atë një legjendë, teksa shumë rekorde të tij ende nuk janë thyer. Një jetë të tërë me skuadrën e Lakers, aty ku “Black Mamba” (pseudonimi i tij) fitoi 5 tituj kampionë (2000, 2001, 2002, 2009, 2010).

Kobe Bryant ka fituar edhe 2 medalje të arta olimpike me kombëtaren amerikane, duke u krahasuar shpesh me Michael Jordan. Gjithmonë i karikuar në fushë, ku luante me grintë dhe dëshirën për të fituar gjithçka, duke e kthyer në një kampion të padiskutueshëm dhe në një personazh të dashur jo vetëm në NBA, Amerikë por në të gjithë botën.

Në karrierën e tij, më 22 janar 2006, ai pat realizuar rekordin personal të 81 pikëve në një ndeshje (ndaj Toronto). Ndërsa në vitin 2018, ai fitoi çmimin “Oscar” për filmat e animuar me metrazh të shkurtër me “Dear Basketball”, frymëzuar nga letra e tij e lamtumirës. Ai la pas bashkëshorten Vanessa dhe 3 vajza të tjera, ndërkohë që Gianna, që ashtu si babai luante basketboll, e ndoqi me vete në qiell.

Vjet (sezoni 2019-2020), skuadra e Lakers u rikthye kampione e NBA-së dhe ky titull, iu dedikua pikërisht Kobe Bryant (veçanërisht nga LeBron James). Në disa ndeshje, skuadra kaliforniane pat veshur uniformën që vetë “Black Mamba” pat dizenjuar. Një vit më parë, NBA humbi një nga personat më të dashur të saj, një prej ambasadorëve më të çmuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit