Njeriu simbol, fytyra e interizmit të ri… Gati rinovimi i Lautaro Martinez, ja detajet e plota

6 Dhjetor 2023
8:44
Alfred Lleshi
back button

“Gazzetta dello Sport” është e sigurt për këtë: mes Lautaro Martinez dhe rinovimit të kontratës me Interin tashmë është vërtet çështje detajesh. Palët kanë vazhduar punën e palodhshme në javët e fundit, duke rregulluar pothuajse gjithçka. Lautaro përqafoi projektin e Interit, sot është bërë njeriu simbol, fytyra e interizmit të ri.

Deri në ‘Epiphany’, klubi zikaltër shpreson të jetë në gjendje të bëjë njoftimin zyrtar për rinovimin, i cili do të jetë të paktën deri në vitin 2028 dhe do t’i garantojë Lautaros një pagë prej 7 milionë euro neto në sezon. Kësisoji, rinovimi e bën argjentinasin lojtarin më të paguar në skuadër.

Në një futboll ku gjithçka blihet dhe vlerat duket se janë zhdukur, Lautaro është kandidat për të qenë një nga flamujt e fundit. Ai ka qenë tek Interi prej 6 sezonesh dhe me kontratën e re mund të kalojë më shumë se 10 vite me fanellën zikaltër veshur.

Kampioni i Interit, Alessandro Altobelli, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, foli kështu për Lautaro Martinez: “Më pëlqen shumë. Ai shënon gola, lufton, sakrifikon veten, punon për ekipin. Ai kurrë nuk bën asgjë banale, nuk merr vendime të gabuara.

Rinovimi? Demonstrim i bukur i lidhjes me fanellën, një shembull për ata që mendojnë vetëm paratë. Mesazhi i tij është i fortë: Interi vjen para së gjithash. Tani me shiritin e kapitenit në krah është edhe më i përgjegjshëm.

E meriton rinovimin dhe shiritin në krah, sepse është me të vërtetë shembull për shokët e tij. Ai është gjithmonë i disponueshëm për të gjithë, mos harroni se qau pasi humbi kampionatin pak vite më parë…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit