Njoftim i rëndësishëm, derbi Tirana-Partizani, ja çfarë nuk lejohet në stadium!

26 Shkurt 2019
16:39
back button

Të premten do të luhet derbi i tretë i këtij sezoni në Superligë, ai mes Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë do të synojnë të shfrytëzojnë momentin e shkëlqyer që po kalojnë në kampionat, për të thyer mallkimin e pesë viteve të fundit pa fitore në “Selman Stërmasi” kundër rivalëve të përjetshëm, Partizanit. Do të jetë një ndeshje elektrizuese, pasi tifozeritë e të dyja skuadrave premtojnë të dhurojnë spektakël.

Fatmirësisht këtij derbi nuk do t`i mungojnë tifozët e Partizanit, ashtu sikundër frika që u krijua pas incidenteve në stadium në ndeshjen e një jave më parë mes Partizanit dhe Flamurtarit. Ndërsa "Tirona Fanatics" janë më të etur se kurrë për të dhuruar spektakël. Sakaq nisur nga shumë probleme që ka shfaqur sektori i sigurisë nga policia private gjatë këtij sezoni në stadiume, sot ka ardhur një njoftim i rëndësishëm, nga kompania që do të jetë përgjegjëse të premten për mbarëvajtjen e ndeshjes.

Në këtë njoftim mësohet se dyert e stadiumit për hyrjen e tifozëve do të hapen dy orë para nisjes së sfidës, ndërsa do të ndalohet hyrja në stadium për persona që kanë sende që mund të përbëjnë rrezik për zhvillimin normal të sfidës. 

Kompania e menaxhimit të sigurimit BBS Security dhe ajo e menaxhimit të biletarisë, të Klub Futboll Tirana, bën thirrje që tifozerinë e dy skuadrave të marrin masat e duhura për të shmangur incidentet në stadium.

Sendet që nuk lejohen dhe do të ketë një kontroll të rreptë në hyrjet e stadiumit janë si më poshtë: Banderola të pa miratuara nga klubi.

Sende të forta dhe piroteknike, si shashka, kapsolla, flakadanë etj, çadra dhe çakmakë, lazer, vuvuzela, bori apo bilbila, kamera të ndryshme apo aparatë fotografikë që mund të filmojnë ndeshje si dhe fëmijët e pashoqëruar dhe pa biletë”-thuhet ndër të tjera për masat e sigurisë. 

Ndërkohë, për të shmangur radhët pranë biletarisë dhe hyrjen në stadium, u bëhet thirrje tifozëve që të pajisen më parë me biletë në pikat e autorizuara. 

Në mënyrë që të shmangim rradhët e gjata përpara biletarisë, ju bëjmë thirrje të pajiseni sa më parë me biletë dhe të paraqiteni më herët ditën e ndeshjes për të shmangur rradhët e gjata dhe pritjet në dyert e stadiumit. Tifozët do të kenë të mundur të futen në stadium 90 minuta përpara fillimit të takimit”-thuhet në njoftimin e kompanisë së sigurisë dhe asaj të biletave. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit