Nofka, dieta italiane, muzika, dhëndërr i Maradonës…; 10 kuriozitete për Kun Agüero

22 Tetor 2020
14:01
Alfred Lleshi
back button

Nga marrëdhënia me vajzën e Maradonës deri te nutricionisti italian, që e ndjek atë. Video-lojëra dhe rekorde… Ju njohim me Kun Agüero, përmes 10 kurioziteteve mbi të.

Pseudonimi “Kun”
Që në moshë të re, Sergiio Agüero është mbiquajtur kështu për një ngjashmëri që kishte me personazhin e një filmi japonez me kartonë (Kum Kum il cavernicolo), krijuar në vitet ‘70, transmetuar edhe nga televizionet lokale italiane më 1980.

Marrëdhënia me vajzën e Maradonës
Sulmuesi argjentinas ishte fejuar zyrtarisht me Giannina Maradona, vajza e dytë e “Pibe de Oro”. Kjo fejesë zgjati deri në vitin 2013. Aguero, gjithashtu, ka një djalë me vajzën e legjendës së futbollit, Benjamin, i lindur më 2009. Kohët e fundit, Giannina raportoi për një betejë sociale me babanë e saj, i cili kërcënoi t’ia heqë trashëgiminë.

Bota e muzikës
Në Amerikën e Jugut, sulmuesi i Manchester City ka qenë vazhdimisht protagonist edhe në fushën e muzikës. Në vitin 2008 u shfaq në një këngë të “Los Leales”, me titull “Kun Agüero” dhe, në të njëjtin vit, regjistroi një këngë kushtuar Giannina. Kjo këngë kishte në klip edhe praninë e Maradonës. Gjithashtu, në vitin 2019, ai u shfaq në një video të “Tini Stoessel”, një ish-yll i adoleshencës, i njohur me emrin Violetta.

Dieta italiane
“Midis viteve 2013 dhe 2016 nuk kam qenë në gjendje të përshtatem mirë me ushqimin. Pastaj u njoha me një nutricionist italian dhe ndryshova qasjen time në këtë drejtim”. Në këtë intervistë për “TyC Sport”, Agüero zbuloi një nga sekretet e tij: ushqimin e saktë dhe peshën e rregullt. Meritat i shkojnë Giuliano Poser, dietologut të njohut nga Sacile, në provincën e Pordenone. Është i njëjti nutricionist që përgatit edhe dietat e Leo Messit. Mesa duket, ato funksionojnë për argjentinasit…

Rekordmen në Argjentinë
Agüero po kalon vitet më të mira të karrierës së tij. Një karrierë që filloi 17 vite më parë. Ai debutoi në elitë me Independiente, 15 vite e 35 ditë më parë, në një ndeshje kundër San Lorenzo. Ai u bë futbollisti më i ri ndonjëherë, që debutante në elitën e futbollit kombëtar të Argjentinës (Primera División). Kësisoji, Kun theu edhe rekordin e ish-vjehrrit, Diego Armando Maradona.

Rekordmen në Angli
Në Argjentinë e filloi karrierën si futbollist, në Spanjë u rrit, në Angli u “shenjtërua”. Me 180 gola, Sergio Agüero është golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e Premier League, i katërti në klasifikimin e përgjithshëm të saj. Ai, gjithashtu, u bë i pari në listën e “tripletave”, me 12 të tilla, duke mposhtur legjendën Alan Shearer.

90 + 4’
Vetëm Sergio Agüero dhe Michael Thomas në historinë e kampionatit anglez mund të thonë se kanë fituar një titull në frymën e fundit, me golin e tyre. I dyti frymëzoi librin dhe filmin Ethet në 90’, i pari hyri si legjenda e 90 + 4’, minutë në të cilën shënoi golin vendimtar ndaj QPR, për t’i dhënë Manchester City titullin e Premier League në vitin 2012, titull që vinte pas 44 vitesh.

Ai shpëtoi një tifoz, ndërsa po luante
Në vitin 2015, gjatë ndeshjes kundër Evertonit, Kun Aguero shpëtoi një tifoz, që ishte në shkallët e stadiumit dhe u kap nga një krizë epileptike. “Qytetarët” po përgatiteshin të ekzekutonin një këndore, Agüero vuri re që tifozi ishte i sëmurë dhe tërhoqi vëmendjen e gjyqtarit dhe stafeve mjekësore. Për fat të mire, tifozi e mori veten dhe falënderoi publikisht Kun.

Aksidenti me taksi
Në vitin 2017, sulmuesi argjentinas ishte në Amsterdam për të ndjekur një koncert të Maluma. Pas eventit muzikor, ai u drejtua për në aeroport me një taksi, e cila bëri aksident. “Shoferi nuk e pa kthesën  dhe makina rrëshqiti, u batua”, – shpjegoi vetë Kun. Pasojat? Një brinjë e thyer dhe nja dy muaj pushim për të.

Gjithashtu, yll në Twitch
Gjatë pushimit të gjatë për shkak të “Coronavirus”, Agüero bëri emër edhe në Twitch. Më 12 prill hapi kanalin e tij në platformën “streaming” dhe disa muaj më vonë u bë shumë i njohur, falë pasionit të tij për video-lojëra, në veçanti për FIFA20.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit