Djokovic apelon vendimin e qeverisë, çështja sërish në dorën e gjykatës

14 Janar 2022
11:40
Telesport
back button

Pas vendimit të marrë pak orë më parë nga qeveria australiane, për të anulluar për të dytën herë lejen e qëndrimit të tenistit serb Novak Djokovic, ky i fundit ka vendosur të apelojë sërish vendimin. Numri 1 në botë për meshkuj ka patur në orët e vona të mbrëmjes një takim me avokatët e tij në Melburn dhe nesër do të dalë sërish para gjykatës.

Avokatët e tenistit serb kërkojnë që gjykata të anullojë sërish vendimin e marrë nga Ministria e Emigracionit, për anullimin e vizës së Djokovic dhe largimin e tij nga Australia. “Do të shfrytëzojmë çdo minutë që kemi në dispozicion para se të nisë turneu (17 janar). Urojmë që çështja të zgjidhet sa më shpejt dhe Djokovic të ketë mundësi të luajë në Australian Open”, thanë avokatët e tij.

Sipas mediave vendase, tenisti do të dalë nesër para zyrtarëve të Ministrisë së Emigracionit për një tjetër takim, por vështirë se këtë herë gjykata mund të kthejë pas vendimin. Djokovic për momentin ndodhet në një apartament dhe jo në hotelin e migrantëve, siç ndodhi herën e parë, ku qëndroi në izolim për 4 ditë. Në rast se humbet çështjen në gjykatë, tenisti serb rrezikon 3 vite përjashtim nga Australia.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit