Barcelona ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. Skuadra e trajnerit Xavi ka mundur 1-0 Real Sociedad në Camp Nou në fund të një ndeshje të vështirë të vendosur nga një gol i Ousmane Dembele.
Pikërisht francezi ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave sportive spanjolle. Por jo vetëm. Në fakt, nuk kanë munguar as elozhet e trajnerit të tij.
Tekniku i katalanasve e konsideron si një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij duke theksuar se ka besuar tek ai edhe në momentet më të vështira të kaluara edhe për shkak të rinovimit të kontratës.
Duke folur për mediat kryesore iberike, Xavi ka thënë për Dembele: “Nga momenti që kam ardhur unë këtu, djaloshi është përmirësuar shumë. Për momentin shikoj se mbrojtësit e krahut që luajnë kundër tij vuajnë shumë.
“Kam pasur gjithmonë besim tek ai dhe e dija se mund t’i jepte shumë klubit. Më parë është kritikuar, nuk donin ta shihnin te Barça. Tani e duartrokasin dhe ngrihen në këmbë për të.
“Jam shumë i lumtur për Ousmane. Dembele është një nga sulmuesit e krahut më të mirë në planet. Këtë e di prej shumë kohësh dhe tani edhe ai vetë më në fund ka filluar ta besojë”.