“Nuk e di ç’do të ndodhë”; Coutinho i pasigurt për të ardhmen

25 Qershor 2019
8:58
Alfred Lleshi
back button

Lojtari i Barcelonës, Philippe Coutinho, nuk e di të ardhmen që e pret, në mes të spekulimeve mbi një largim nga “Camp Nou”. Braziliani erdhi nga Liverpool për një marrëveshje prej 142 milionë euro në janar 2018, megjithatë, ka luftuar për ta “çimentuar” vendin e tij në formacionin titullar katalanas. 

27-vjeçari ka qenë i lidhur me një kthim në Premier League, te Chelsea apo Manchester United, ndërsa kampionët e Ligue 1 janë, gjithashtu, të interesuar. I pyetur për të ardhmen e tij, Coutinho, nga grumbullimi me kombëtaren e Brazilit për “Copa America”, tha: “Kam një kontratë me Barcelonën, gjithmonë e kam thënë se dëshira ime për t'u bashkuar me këtë klub ka qenë e madhe. Tani jam plotësisht i përqendruar te Brazili. Për të ardhmen me Barcelonën nuk e di se çfarë do të ndodhë.

Shumë gjëra që dalin në media, thjesht nuk janë të vërteta, por për të ardhmen time nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kjo është e vërteta. Sinqerisht, i kaluari nuk ishte një sezon i mirë. Nuk solli atë që dëshiroja, nuk u bë ashtu siç shpresoja. Kjo do të më shërbejë si shembull, si mësim, që të punoj më shumë, të përqendrohem edhe më tepër, që të mund të arrij maksimumin. Nëse një sezon është i mirë apo i keq, kjo nuk ndryshon asgjë. Dëshira për të fituar tek unë është gjithmonë e njëjtë, ose ndoshta edhe më shumë".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit