Iu ofrua dhe e refuzoi. Manchester City humbi dy mundësi për ta blerë Van Dijk

21 Maj 2020
14:45
Alfred Lleshi

Manchester City e humbi shansin për të marrë Virgil van Dijk, kur këtij të fundit iu hap dera e largimit nga Celtic. Është pikërisht Ronny Deila, ish-menaxheri i skuadrës së njohur skoceze, ai që e zbulon këtë fakt. Këshillat e tij për ta transferuar qendërmbrojtësin aktual të Liverpool ranë në vesh të shurdhër te “qytetarët”.

Holandezi e provoi eksperiencën e parë në tokën britanike te Celtic, gjatë një experience 2-vjeçare. Potenciali i tij u vu re shpejt nga klubet e Premier League. Southampton e fitoi atë garë, por vetëm pasi klubi nga “Etihad” hoqi dorë. Van Dijk do të regjistrohej në radarin e “qytetarëve” edhe dy vite e gjysmë më vonë, por sërish e humbën shansin. Van Dijk nënshkroi me “Reds” për 75 milionë £. Me siguri, një pendesë e madhe e Manchester City, që humbi një yll të madh. Trajneri aktual i New York City, Deila, zbuloi rekomandimin e tij për “qytetarët”:

“A kam kontaktuar me Manchester City? Po. Unë iu thashë që duhej ta merrnin patjetër një lojtar të tillë. Ata më pyetën: Mirë, më thuaj ndeshjen më të mirë europiane që Van Dijk ka luajtur dhe ne do ta shikojmë atë. Natyrisht, unë nuk mund t’u tregoja atyre një ndeshje, sepse ai nuk kishte pasur rastin për sfida europiane. Ai ishte me të vërtetë mbizotërues në Skoci. Kundër Interit, në transfertë, ishte një provë e madhe. Personalisht mendoj që, nëse do të kishte luajtur në mënyrë fantastike në atë ndeshje, do të ishte blerë”.

Tashmë, Van Dijk e ka treguar më së miri veten në elitën europiane, sepse ndihmoi Liverpool të triumfonte në Champions, vitin e kaluar. Të kuqtë, gjithashtu, kanë ngritur me duart e tyre Superkupën Europiane dhe Botërorin e Klubeve, ndërsa kanë krijuar një hendek prej 25 pikësh në krye të tabelës së Premier League, që do të thotë se praktikisht janë kampionë të Anglisë. Po ashtu, Van Dijk është bërë edhe kapiten i kombëtares së tij, ndërsa konsiderohet gjerësisht si qendërmbrojtësi më i mirë në planet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit