“Nuk ishte hera e parë”; Allegri flet për humbjen e penalltisë nga CR7

22 Janar 2019
9:45
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, e justifikoi Cristiano Ronaldon për humbjen e penalltisë, ndërkohë që skuadra e tij fitoi 3-0 ndaj Chievo, në sfidën e radhës të Serie A, të hënën.

Douglas Costa, Emre Can dhe Daniele Rugani ishin autorët e golave për bardhezinjtë, që e shohin veten me nëntë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, në krye të klasifikimit.

Allegri tha se fitorja e skuadrës së tij, jo penalltia e Ronaldos, ishte më e rëndësishmja, edhe pse pranoi se sulmuesi portugez ishte shumë i etur për të shënuar në pjesën e parë: "Penalltitë janë të rëndësishme, por mund të ndodhë që të gabosh, – tha trajneri i kampionëve italianë në konferencë shtypi. 

– Nuk mendoj se kjo është hera e parë, që Ronaldo humbet penallti në karrierën e tij. Gjëja më e rëndësishme është se skuadra e fitoi ndeshjen në fund.

Ronaldo donte të shënonte edhe në pjesën e dytë, teknikisht luajti shumë mirë. Në pjesën e parë, ai po nxitonte shumë për ta gjetur rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë, kur po luante futboll më të lehtë, pati dy, ose tri raste të mira."

Kujtojmë se Cristiano Ronaldo ka shënuar 14 gola në Serie A, deri më tani, këtë sezon, ndërsa shpreson ta shtojë këtë “llogari” të dielën, në transfertën me Lazio.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit