Nuk ka qetësi për Neymar, ja çfarë i bëjnë tifozët në mes të rrugës

19 Shtator 2019
14:28
Alfred Lleshi
back button

Tifozët e PSG ia konfirmuan sërish qëndrimin e tyre Neymar. Nga koret dhe banerat ofendues në stadium tek grafitet në rrugët e kryeqytetit francez, kjo është trajektorja e ndjekur nga mbështetësit e kampionëve të Ligue 1. Këta të fundit e kanë shpallur “armik” brazilianin, që kur kërkoi publikisht të largohej drejt Barcelonës, kësaj vere. Dihet “telenovela” e tij gjatë merkatos, në mbyllje të së cilës mbeti në “Parc des Princes”, ku është i padëshiruar nga tifozët. “Neymar jashtë” u shkrua me të bardha në portugalisht (gjuha e tij e nënës), në një rrugë jashtë stadiumit, ku u luajt ndeshja PSG-Real Madrid 3-0, në Champions.

27-vjeçari ishte njeriu i fitores së PSG ndaj Strasburgut, në kthimin e tij nga dëmtimi, por ultrasit duket se nuk do ta falin për qëndrimin e kësaj vere. Një pjesë e tifozëve parizienë zbuluan një banderolë ofenduese, drejtuar babait të Neymar, gjatë fitores 1-0 ndaj Strasburgut, të shtunën, ndërsa mbështetësit e tjerë vërshëllyen kur u tha emri i tij nga spikeri i stadiumit.

Në foto mund të shihet qartë grafiti “Neymar Out”, me shkronja të mëdha e të bardha, në mes të rrugës. Ish-ylli i Santos e përcolli ndeshjen e mbrëmshme nga tribuna, për shkak të pezullimit nga UEFA. Ai nuk nuk do të luajë në Europë derisa PSG të udhëtojë në fushën e Club Brugge, në xhiron e tretë të fazës së grupeve të Champions-it. Trajneri Tomas Tuchel ka thënë se e kupton zhgënjimin e tifozëve me brazilianin, por këmbënguli se 27-vjeçari mbetet një model në skuadrën e tij: 

Ai nuk donte të rrinte këtu. U përpoq me gjithë fuqinë e tij që të largohej nga klubi. Kjo nuk e ndihmoi atë të mbetej popullor. Unë mund t’i kuptoj pse fansat janë të zemëruar, qoftë edhe përgjithmonë. Sidoqoftë, ekziston një mirëkuptim ndërmjet meje si trajner dhe atij si lojtar. Asnjëherë nuk kemi pasur polemika apo mospërputhje. Kjo është arsyeja pse e pata shumë të lehtë ta lejoja të luante. Ai gjithmonë është stërvitur si profesionist. Mbyllja e merkatos ishte një lehtësim për të, edhe pse kundër dëshirave të tij”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit