“Nuk kemi më mollë të kalbura”, Solskjaer sulmon indirekt Lukaku dhe Smalling

21 Maj 2020
11:02
Alfred Lleshi

Premisa është një domosdoshmëri. Gunnar Solskjaer nuk përmend shpesh lojtarë individualë, as bën referenca për situata të caktuara. Por, kësaj here ka bërë një ndryshim kursi. Ka lëshuar një shigjetë dhe çfarë shigjete… Trajneri i Manchester United ka kritikuar ashpër ata lojtarë, që u larguan verën e kaluar nga “Old Trafford”, sepse kërkuan të luanin më rregullisht.

Trajneri vendosi “të pastrojë sirtarët”, duke shitur dhe huazuar shumë lojtarë, përfshirë Chris Smalling te Roma, Lukaku dhe Sanchez tek Interi (i cili mori edhe Young në janarin e kaluar) dhe Darmian te Parma. “Unë do të preferoja të kem diskutime me lojtarët në ekip, jo një rrugë…”, – janë fjalët e norvegjezit për “United We Stand”.

Trajneri i “Djajve të Kuq” e ka të vështirë ta pranojë egoizmin e disa lojtarëve: “Personaliteti është shumë i rëndësishëm. Jemi shumë në një mjedis ekipor. Është normale që lojtarët të kenë pak ego, por ata duhet të jenë në gjendje të përshtaten. Në mars të vitit 2019, lojtarët ishin të lodhur fizikisht dhe mendërisht, kështu që pati lëndime. Lojtarët e filluan me një mendim negativ, ndërsa tani po ndjekin rrugë të tjera.

Kishte gjëra, që nuk më pëlqyen vitin e kaluar, disa aspekte personale, që nuk mund të zgjidheshin deri në verë. Gjithmonë do të ketë lojtarë që duan të luajnë më shumë. Sidoqoftë, nëse një ekip dëshiron të jetë i suksesshëm, lojtarët duhet të jenë të disponueshëm në periudha të ndryshme. Tani ndiej se nuk kemi “mollë të kalbura” në këtë grup”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit