Nuk shënoi me portën bosh, Gagliardini “nxjerr në ankand” fanellën e gafës fatale

29 Qershor 2020
14:45
Alfred Lleshi
back button

Ka ndeshje të përhumbura, të mallkuara, që lënë një shenjë negative dhe rrezikojnë të komprometojnë një karrierë të tërë. Ajo e Roberto Gagliardini ka ndodhur të mërkurën e kaluar, Inter-Sassuolo, që do ta kujtojë për krejt pjesën tjetër të jetës së tij. 3-3 ishte rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje, i ndikuar shumë nga gabimi i pafalshëm i ish-lojtarit të Atalantës, kur nuk shënoi dot me portën bosh, vetëm një metër larg vijës fatale.

Në atë moment Interi kryesonte 2-1 dhe nëse Gagliardini do të shënonte, atëherë pikët maksimale do të shkonin në llogarinë e zikaltërve. Kjo gafë e kryqëzoi në rrjetet sociale, ku shpërthyen talljet, kritikat dhe ofendimet. Sidoqoftë, Gagliardini e rigjeti veten me një paraqitje të mjaftueshme në “Tardini” të Parmës, ku tri pikët erdhën në minutat e fundit.

Me një postim të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, mesfushori njoftoi se do ta dhurojë fanellën që veshi në “San Siro”, në barazimin 3-3 kundër Sassuolo, ku gabimi i tij ishte evident. Fituesi i kësaj fanelle do të shpërblehet për komentin më original në statusin e fundit të lojtarit zikaltër:

“Fitorja e djeshme ishte thelbësore për rrugën tonë. Pas një gabimi, ju thjesht duhet të punoni dhe të shihni përpara, pa justifikime apo alibi. Kështu, vendosa t’ju dhuroj bluzën time që vesha në Inter-Sassuolo, gjithashtu sepse unë… nuk dua ta shoh atë më shumë! Unë do t’ia jap atë personit që me komentin e tij do të më befasojë më shumë! Forca Inter “.

Një përpjekje ekstreme për të lënë gjithçka pas, për t’u rikonfirmuar në funksion të sezonit tjetër, pavarësisht sulmeve të ashpra që ka marrë në rrjetet sociale, por jo vetëm, pas asaj gafe që e bëri titullin kampion edhe më të pamundur për të tijtë në këtë sezon.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit