Numri 1 në botë e pandalshme, 28 fitore radhazi dhe triumfon në Masters të Romës

16 Maj 2022
9:17
Gentian Spiri

Tenistja 20-vjeçare polake Iga Swiatek është fituese e turneut Masters të Romës. Në fushat me dhè të kryeqytetit italian ajo mundi 2-0 (6-2, 6-2) në finale tunizianen Ons Jabeur. Kjo e fundit, një javë më parë, pat fituar në turneun Masters të Madrid, duke u bërë tenistja e parë afrikane që fiton një event të tillë të madh.

Gjithsesi, në finalen e Romës nuk pati histori dhe ajo që dominoi në fushë ishte Swiatek, që mbrojti titullin e fituar një vit më parë. Jo vetëm kaq, por tenistja polake mbron bindshëm edhe kreun e renditjes botërore për femra, me më shumë se 2000 pikë epërsi nga ndjekësja më e afërt (çekja Barbora Krejcikova).

Për Iga Swiatek ky është titulli i tetë në karrierën e saj, i pesti i këtij sezoni, ku ka bërë një paraqitje të shkëlqyer (ka triumfuar edhe në Doha, Indian Wells, Majemi e Shtutgart). Ajo nuk humbet prej 28 ndeshjesh dhe konsiderohet favorite për Roland Garros, që nis pas një jave. Ndërsa Jabeur, pas finales së humbur ngjitet në vendin e 6-të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit