Odegaard çmend Holandën, Reali i vendos çmim qesharak

24 Prill 2019
10:38
back button

Kur Martin Odegaard u huazua te Vitesse, pas një sezoni e gjysmë tek Heerenveen, shumë njerëz menduan se talenti norvegjez u dogj përfundimisht dhe se Real Madridi kishte bërë një investim të gabuar, kur e bleu nga Stromsgodset në vitin 2015.

Megjithatë, duhet kujtuar se Odegaard është vetëm 20 vjeç, praktikisht në hapat e parë të karrierës, ndaj duhej vetëm pak durim. Te Vitesse i kanë dhënë mundësi të tregojë sa vlen dhe mesfushori norvegjez ka mahnitur këtë sezon, me 6 gola, 9 asiste dhe një nivel loje që e vendos në një nivel me futbollistët e Ajax-it, që po shkëlqejnë në kampionat e Champions League.

Pikërisht Ajax duket ambienti ideal për djaloshin nga Drammen, i cili e ka kuptuar se te Reali nuk ka të ardhme dhe është i vendosur të mos kthehet në Madrid, aty ku zor se do gjente hapësirë.

Për këtë arsye, Ajax ka nisur të interesohet për blerjen e tij dhe në Holandë tashmë e bëjnë një punë të kryer, sepse raportohet se Reali i ka vendosur çmimin talentit norvegjez: vetëm 20 milionë euro!

Në futbollin modern, aty ku lojtarë si Dembele shkojnë deri në 150 milionë euro, shifra e kërkuar për Odegaard është qesharake dhe zor se Ajax do ta humbasë këtë shans, sepse edhe vetë Odegaard dëshiron klubin nga Amsterdami.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit