Odiseja e portierit të Luftëtarit: U operova, as një telefonatë nuk mora

2 Shkurt 2019
19:44
back button

Verën e shkuar Luftëtari bëri ndryshime të mëdha në ekip, duke afruar e larguar shumë futbollistë, aq sa disa emra kaluan pa u vënë re fare nga tifozët.

Një prej futbollistëve që u afrua te klubi gjirokastrit, por nuk mundi as të debutonte me bluzinjtë, ishte Ilia Melka, i biri i ish-volejbollistit të njohur korçar, Jani Melka.

Ilias Melkas, siç njihet, për shkak se është rritur në Greqi, kishte luajtur gjatë gjithë karrierës së vet në Greqi, nga divizioni i tretë deri tek Superliga, ndërsa sezonin e shkuar ishte titullar i Karaiskakis në divizionin e dytë. 

Megjithatë, portieri 29-vjeçar vendosi të kthehej në Shqipëri, për të luajtur në Superiore, joshëse si ofertë në pamje të parë, por një makth më pas.

Më 1 shtator Melkas ishte në stol për ndeshjen Luftëtari-Flamurtari dhe më pas u zhduk pa gjurmë. Kishte një dëmtim, u tha, dhe asnjë shpjegim tjetër nga klubi gjirokastrit.

Në fund të dhjetorit Melkas u largua, mori dokumentacionin dhe tashmë është kthyer te Karaiskakis, aty ku e vlerësojnë.

Ndërkaq, zhgënjimi për aventurën shqiptare është i madh dhe për "TELESPORT" portieri ka rrëfyer odisenë e tij gjirokastrite, një dramë e vërtetë në aspektin njerëzor.

"Firmosa për Luftëtarin më 31 korrik. Një javë para fillimit të kampionatit u dëmtova në gju, në një ndeshje miqësore kundër Bylisit. Fillimisht kreva terapi për 3 javë, por kur u ktheva në Gjirokastër gjuri më shqetësonte sërish, gjatë stërvitjeve. Shkova sërish në Greqi për kontrolle të reja dhe mjekët më thanë që duhej të operohesha", tregon Melkas, në anglisht, sepse gjuhën shqipe nuk e zotëron mirë.

"U operova, pagova vetë për gjithçka. Kostot e operacionit dhe rehabilitimit ishte kolosale, por Luftëtari nuk pagoi asgjë. Jo vetëm kaq, por edhe në aspektin njerëzor më befasuan, askush nuk më telefonoi të pyeste të paktën si isha, si shkoi operacioni.

"Më vonë, kur u shërova dhe isha gati të luaja, klubi më komunikoi se do të paguhesha fare deri në momentin që do të luaja. Diçka absurde, sepse unë u dëmtova duke qenë pjesë e Luftëtarit dhe në çdo klub profesionist parashikohen dhe ndodhin gjëra të tilla, nuk është e mundur që të braktiset kështu një njeri".

Melkas vendosi ta mbyllte aty: "Shkova në Federatën Shqiptare dhe zgjidha kontratën me klubin. Nuk dua të mendoj më për atë histori, ishte një makth. A do të kthehem më në Shqipëri? Jo, nuk kam më kohë që të merrem me eksperimente".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit