Olsi Rama e quan burrëror Partizanin në derbi, shigjeton Sormanin

11 Korrik 2020
8:59
Alfred Lleshi
back button

Partizanit i ka ikur fitorja nga duart në derbin e fundit të këtij kampionati. Ai po udhëhiqte 1-0 deri në minutat shtesë, kur i sapoaktivizuari Muçi ka barazuar shifrat dhe ka shtangur të kuqtë. Pa trajnerin Sormani në stol dhe stafin e tij italian, por me drejtorin Olsi Rama aty, që udhëzonte “demat” bashkë me Kalarin dhe Genc Tomorrin, kampionët ende në fuqi kanë marrë një pikë në këtë përplasje. Mbas ndeshjes, Rama ka folur për mediat, duke nënvizuar:

“Do të kisha shumë dëshirë ta nisnim me ndeshjen, pasi kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Situata e krijuar në klub nuk ishte optimale. Na mungonin 7 lojtarë, ku 5 kanë dalë pozitivë me Covid-19. Ndeshja ishte përgatitur me tre prej futbollistëve të prekur, ndaj u detyruam më pas të ndryshonim planet. Njëherë kanë thënë se futbolli është sport burrash, sot luajnë edhe femra. Jam krenar për skuadrën, treguam se jemi burrërorë.

Mungesa e Sormanit? Secili ka parimet e veta në jetë. Ai vjen nga Italia dhe mbase atje kanë kulturë tjetër. Partizani i ka ndjekur me rigorozitet të gjitha protokollet. Kemi bërë një testim para 10 ditësh. Një futbollist kishte temperaturë. E kemi mbajtur në karantinë, doli negativ. Bilali gjithashtu doli negativ. Jemi treguar “fair-play”. Nuk kërkuam për asnjë moment të shtyhej ndeshja. Kishim besim se dimë të luajmë futboll nga fillimi deri në fund. Kjo ka ndodhur këto ditë. Ne do të komunikojmë me stafin teknik. Ata janë trajnerë të Partizanit. S’e kam bërë kurrë trajnerin. U ula në pankinë me Gencin. Në këtë situatë të tillë, duhet të ruhemi, por nuk duhet të kesh frikë të vazhdosh jetën duke marrë masat.

Unë e përjetoj ndeshjen njësoj si në stol, si në tribunë, si në shkallët e stadiumit. Sigurisht më vjen keq, sepse mendoj gjithmonë për djemtë që derdhin djersë dhe lodhen. Dalin nga fusha me dëmtime nëpër trup, me dhimbje. Mendoj se me të vërtetë e meritonin fitoren. Ofendimet e tifozëve? Ne luanim në fushën tonë, por Tirana jashtë konceptit të “fair-play” kishte më shumë tifozë në stadium. Nuk mendoj që është e ndershme, që në një situatë të tillë të dëgjohen edhe të sharat, edhe ngacmimet ndaj lojtarëve. Për mua është e papranueshme.

Ne ishim organizatorët, por s’kemi asnjë gjë në dorë në organizim. Kishte edhe njerëz të Partizanit që ishin ftuar, brenda numrit të limituar që ne kemi. Asnjë më tepër. Kishte edhe gazetarë. Nuk e keni parë ndeshjen nga poshtë që të kishit konceptin tamam si ishte e rreshtuar tifozeria. Me vjen keq që nuk i dhamë dot kënaqësinë e fitores tifozëve të Partizanit. Megjithatë besoj se janë krenar që luftuam deri në fund”.

 Vlerësimi i sezonit? Unë e them që tani që nuk është i suksesshëm aspak. U nisëm me premisa të tjera dhe duhet të ishim në pozicion tjetër në renditje. Asgjë në jetë nuk mund të humbet. Edhe atje ku ti humbet, mëson diçka. Shpresoj që këto eksperienca të na kenë mësuar më tepër, në mënyrë që në vitet e ardhshme të ndërtojmë gjërat në baza më të shëndosha dhe të jemi më të saktë. A do qëndrojë Alban Hoxha? Kapiteni është akoma lojtar i Partizanit. Dëshira e tij dhe e klubit është që të vazhdojmë bashkë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit