Olsi Rama: Problem me pagesat? “Fake news” para derbit. E turpshme çfarë ndodh me tifozët

12 Maj 2021
11:18
Alfred Lleshi
back button

Lojtarët e Partizanit në protestë për vonesën e pagave. Ky ishte kryelajmi i sotëm sportiv, i cili vinte si rrufe në qiell të hapur, në prag të derbit të madh të kryeqytetit me Tiranën. Kjo gjë ka alarmuar drejtorin e të kuqve, Olsi Rama, i cili ka dalë përkrah trajnerit Daja në konferencë për shtyp, duke sqaruar situatën:

“Në fakt u zgjova në mëngjes me këtë lajmin e botuar dhe ta kisha ditur që do dilte një lajm i tillë nuk do të isha unë këtu, pasi do të ishte ose lojtari më i vjetër te Partizani, Alban Hoxha, ose ndonjë nga ata veteranët e tjerë që kanë kohë në ekip, si Bardhi apo Belica, që po bën tri vite.

Vinin ata t’ju tregonin korrektësinë e klubit të Partizanit me pagat, t’ju tregonin të gjithë mënyrën se si procedohet. Në nivel thashethemi nuk ka nevojë të sajohen gjëra që shkova unë urgjentisht dhe fola me ekipin, sepse për çudi fare nuk u kam folur lojtarëve dje.

Kam qenë aty kur nisi stërvitja dhe e pashë nga kafja sipër. Mjafton të shikohet te tatimet rregullsia e pagesave të Partizanit. Përveçse paguajmë më shumë se të gjithë, jemi më të rregulltit me pagesat që bëjmë. Këtë mund ta shikoni.

E kam ngritur zërin edhe për ‘fair-play’-in financiar, sepse mjafton të shikoni taksat që paguan Partizani në buxhetin e shtetit dhe t’i krahasoni ato me të klubeve të tjera. Janë qesharake taksat që paguajnë klubet e tjera.

Me aq sa paguajmë mund të merrnim edhe 3-4 lojtarë të tjerë të nivelit të lartë. Atëherë do ta vrisnim kampionatin. Ne kemi punën tonë, vazhdojmë drejt, korrekt me pagesat dhe respektin për stafin dhe lojtarët.

Të kishte dalë lajmi dje do dilte ndonjë nga lojtarët, Albani, Belica, Bardhi ose ndonjë nga djemtë e tjerë më të rinj, që t’i thonin ata se çfarë do të thotë të jesh lojtar i Partizanit. Kam shumë besim te presidenti Demi dhe e di se asnjë lojtar apo trajner që nuk i ka marrë të gjitha lekët që u detyrohet klubi deri në fund.

Kemi rastin e fundit, William Melo, i cili u pagua deri në ditën e fundit që ka punuar te Partizani. Madje edhe pak më tepër, sepse iku pa u mbyllur prilli. Këto janë muhabete kot dhe nuk e di pse dalin një ditë para derbit. Megjithatë nuk ka rëndësi fare kjo, ne vazhdojmë punën përpara.

Fjalim para ekipit? Kam mbajtur një para ndeshjes me Skënderbeun dhe ju keni qenë të pranishëm. E keni parë që foli trajneri përpara. Jam pothuajse përditë në stërvitje. Nuk ka nevojë të jem çdo ditë. Nuk e ndjej të nevojshme të jem atje, pasi gjërat shkojnë shumë mirë.

Iki për kënaqësinë time, të flas me trajnerin e të pi ndonjë kafe. U kam thënë edhe lojtarëve se jam shoku juaj, miku juaj, edhe avokati juaj në të gjitha gjërat që ndodhin. Jam edhe drejtori. Nuk kishte asgjë përtej normales që të shkojë të flisja. Kemi raporte shoqërore”.

Olsi Rama ndalet edhe te mungesa e tifozëve në stadiume: “Partizani ka një disavantazh. Kur luan jashtë ka tifozë kundërshtarë, si në Laç, në Shkodër dhe në Korçë, ndërkohë që ne e respektojmë protokollin. Në Laç e pamë të gjithë se çfarë ndodhi dhe ajo ishte e turpshme. VIP-at, tifozët e Skënderbeut, ishin gjatë gjithë pjesës së dytë mbështetës së skuadrës kundërshtare edhe këto ndikojnë te lojtarët, të cilët nuk i kanë prej një viti tifozët.

Rikthimi i tifozëve? Janë gjëra që vendosen nga Komiteti i Ekspertëve. E kemi parë të gjithë që në Shqipëri gjithçka po shkon drejt përmirësimit. Nëse ka një ekip që është i interesuar për tifozët, është Partizani. Rikthimi i tifozëve do ishte një gjë e madhe për Partizanin.

Është ende herët për rikthimin e tyre. FSHF duhet të bëjë një kërkesë, siç bëri për ndeshjen me Anglinë. Nuk mendoj se ndeshja me Anglinë është më e rëndësishme se sa ndeshjet e kampionatit shqiptar, por Federata e mori mundimin për të bërë kërkesë. Nuk mund ta bëjë Partizani kërkesën”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit