Opinion / Edhe një herë mbi krijesën e re futbollistike të Bashkisë së Elbasanit…

23 Korrik 2021
9:39
Telesport
back button

Nga ARTUR ZEKTHI

Në një kohë që në qytetin e Elbasanit, të regjistruara në Zyrën Rajonale të FSHF-së në këtë qytet, gjenden disa organizata sportive që ushtrojnë aktivitet në fushën e futbollit, me qëllime social-edukative e sportive, së fundi, bashkia angazhohet të krijojë edhe një tjetër organizëm sportiv, Akademia e Futbollit Elbasani. Referuar fjalës së mbajtur në Këshillin Bashkiak të qytetit, kur edhe mori udhë nga pikëpamja institucionale kjo akademi, kryetari i bashkisë, z.Gledjan Llatja, u shpreh se qëllimi i këtij organizmi lidhet natyrisht me objektiva socialë, edukativë e sportivë në dobi të komunitetit.

Thënë ndryshe, një konkurencë në tregun e shërbimeve sportive me paranë publike. Ajo çka të shqetëson në këtë iniciativë të bashkisë mbetet fakti që akademia e re nuk do të ndërtojë rishtazi ekipe të sistemit zinxhir me fëmijë, që për shkaqe ekonomike apo pamundësie sociale nuk janë të angazhuar në organizatat sportive që ushtrojnë aktivitet në qytet, por do të synojë të dobësojë aktivitetet e organizatave të tjera homologe që ushtrojne aktivitet në qytet, duke thithur fëmijë nga këto ekipe. Argumenti i dytë që denoncon qëllimet e errta të bashkisë në këtë ndërmarrje lidhet me faktin se fëmijët e angazhuar në ekipet e kësaj akademie do paguajnë për shërbimet e ofruara, duke sfumuar faktin se investimi publik shkon në dobi të komunitetit.

Atëherë, çfarë qëllimesh fshihen pas kësaj iniciative?

1. Monopolizimi i shërbimeve sportive në qytet nëpërmjet konkurencës së pandershme, duke shfrytëzuar paranë dhe asetet publike.

2. Shërbimi ndaj të tretëve, që synojnë të kanalizojnë para informale pa origjinë të ligjshme burimi.

3. Ndërtimin dhe shitjen (dhurimin) e këtij organizmi të tretëve (aksonarëve) për t’i favorizuar ato si në aspektin financiar, ashtu edhe të aseteve publike.

Ndoshta në mungesë të përgjigjeve transparente të kryetarit të bashkisë, duhet të jenë të tjera institucione (Kontrolli i Lartë i Shtetit, SPAK etj) që t’i bëjnë transparencë publike kësaj afere, që bie në kundërshtim me Ligjin “Për Sportin”, Neni 22, Ligjin “Për funksionimin e Institucioneve të Pushtetit Vendor”, Ligjin “Për konkurencën dhe barazinë në treg” etj.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit