“Oran 2022”/ Mundësit Hajdari e Abakarov shkojnë në gjysmëfinalet e Mesdhetareve

27 Qershor 2022
12:51
Gentian Spiri

Vijojnë në Algjeri garat e sportit të mundjes të vlefshme për Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Sot, në garat e stilit të lirë, kanë ardhur dy fitore të rëndësishme.

Në peshën 65kg, mundësi Zelimkhan Abakarov fitoi 8-4 ndaj turkut Munir Recep Aktas, sfidë e vlefshme për çerekfinalet e kësaj peshe. Falë këtij suksesi, rusi me nënshtetësi shqiptare ka shkuar në gjysmëfinale, ku do të përballet me serbin Stevan Micic.

I suksesshëm ka qenë në debutimin e tij edhe mundësi i peshës 86kg, Osman Hajdari (sërish stili i lirë). Në çerekfinale, ai fitoi 3-2 ndaj spanjollit Damian Iglesias Vilela, në një duel të fortë, duke avancuar në gjysmëfinale. Sfida e radhës do të jetë ajo ndaj turkut Fatih Erdin.

Ai që ka zhgënjyer është Islam Dudaev, rusi tjeter me nënshtetësi shqiptare. Në peshën 74kg të stilit të lirë, ai u mund 6-3 nga turku Samet Ak, duke u eliminuar nga turneu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit