“Oran 2022”/ Qitja, noti e xhudo e mbyllin shpejt konkurrimin, një rekord kombëtar në pishinë

1 Korrik 2022
18:45
Telesport
back button

Vijojnë në Algjeri Lojërat Mesdhetare “Orana 2022”, teksa sot sportistët kuqezinj kanë garuar në disa disiplina, pa lënë shumë gjurmë.

Pa sukses garat e notit, ku në garën e 50 metrave flutur, notari Drini Ujkashej u rendit i fundit si në baterinë e tij ashtu dhe në renditjen përfundimtare. Ai dha kohën 29”88, duke mos vijuar dot më tej garën.

E njëjta situatë edhe me notarin tjetër Frenkli Vogli në garën 100 metra shpinë. Ai u klasifikua i fundit si në bateri ashtu dhe në klasifikimin e përgjithshëm, me kohën 1’00”50, duke u eliminuar. Gjithsesi, koha e dhënë prej tij është rekord kombëtar në këtë disiplinë.

Edhe në sportin e qitjes Shqipëria nuk arriti të marrë medalje. Në garën e 10 metrave pushkë, qitësja kuqëzi Kristina Anxhara u klasifikua në vendin e fundit (e 23-ta), duke grumbulluar 605.4 pikë. Edhe pse iu afrua rekordit kombëtar, rezultati i saj ishte shumë larg më të mirave.

Në sportin e xhudos, sot ishte radha e Erson Ramaj të ngjitej në tapet, por edhe rezultati i tij nuk ishte i mirë. Edhe pse rivalizoi ndaj italianit Gennaro Pirelli, ai u mund 10-0, duke e mbyllur shumë shpejt konkurrimin e tij, pa avancuar dot më tej.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit