“Oran 2022”/ Veli del pozitive me covid-19 dhe hyn në izolim, humbje në boks dhe tenis

27 Qershor 2022
22:12
Gentian Spiri

Në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” që po zhvillohen në Algjeri kanë garuar sot edhe disa sportistë të tjerë të delegacionit kuqezi.

Sporti i boksit ka qenë një zhgënjim sot për Shqipërinë, pasi të dy boksierët kuqezinj që u ngjitën në ring kanë dalë humbës. Në peshën +91kg, në cerekfinale, Nelson Hysa u mund 2-1 nga italiani Vincenzo Fiaschetti, në një duel të ekuilibruar deri në fund.

Ndërsa boksieri Ardit Murja, në peshën 57kg, në ndeshjen eliminatore u mund 3-0 nga marokeni Abdellatif Zoluhairi. Për pasojë, të dy boksierët kuqezinj që garuan sot janë eliminuar nga garat e Mesdhetareve.

E njëjta situatë edhe në sportin e tenisit, ku erdhën dy humbje e dy eliminime. Për vajza, Kristal Dule u mund 2-0 (6-1, 6-1) nga tunizianja Chiraz Bechiri. Ndërsa për djem, Martin Muedini u mund 2-0 (6-0, 6-1) nga spanjolli Carlos Lopez Montagud.

Ndërkohë, një tjetër lajm jo i mirë vjen nga peshëngritja, ku kampionia e Europës, Evangjelia Veli, ka dalë pozitive me Covid-19. Ka qenë vetë shtangistja kuqezi që e ka konfirmuar lajmin në rrjetet sociale, duke humbur kështu mundësinë për të garuar.

Mësohet se peshëngritja ka hyrë në izolim, duke ndërprerë stërvitjen, ndërkohë që ndodhet ende në Shqipëri, duke mos u nisur për në Oran. Për fat, sportistja nuk ka asnjë simptomë edhe pse ndihet e zhgënjyer që nuk ka mundësi të garojë e t’i dhurojë medalje Shqipërisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit