Orë luksoze të personalizuara për të gjithë, lamtumira e Haaland nga BVB kushtoi 590 mijë €

20 Maj 2022
12:07
Alfred Lleshi
back button

Haaland do t’i bashkohet Manchester Cityt këtë verë, pasi ka kaluar dy sezone e gjysmë te Borussia Dortmund. Ai bëri paraqitjen e fundit për klubin, teksa iu dha një lamtumire emocionale tifozëve verdhezinj fundjavën e kaluar.

21-vjeçari iu afrua “Murit të Verdhë” të famshëm në “Signal Iduna Park”, duke shprehur falënderimet e tij për mbështetjen e madhe. Ylli norvegjez, gjithashtu ka falënderuar shokët e tij të skuadrës dhe trajnerët duke iu dhuruar ora luksoze me vlerë 11.000-13.000 £, sipas gazetës gjermane “Bild”.

Mbi 20 punonjës të tjerë në klub, si fizioterapistë, kuzhinierë dhe këshilltarë, thuhet se kanë marrë po ashtu secili orën “Omega”, me vlerë 6.000-8.000 £. Në total, dhuratat e tij të lamtumirës kushtuan diçka më pak se gjysmë milioni paund (590 mijë euro)

Haaland do të jetë një nga më të paguarit te Manchester City. Ai thuhet se do të fitojë 300.000 £ në javë, gjë që do ta vendosë në të njëjtin grup me përfituesit e pagave më të larta në Premier League.

Pasi Manchester City konfirmoi nënshkrimin me Haaland, Pep Guardiola e përgëzoi klubin për goditjen e madhe: “Urime për klubin që ka marrë një lojtar të rëndësishëm, një lojtar të ri. Ne do ta ndihmojmë atë që të përshtatet mirë me ekipin, ai do të përpiqet të na ndihmojë të kemi sukses”.

Fenomeni norvegjez largohet nga Dortmundi duke shënuar 86 gola mbresëlënës në 89 ndeshje, në të gjitha garat.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit