Pa dalje në det, por “not” në ëndrra! Dudelange, shembulli i magjisë së topit

9 Gusht 2019
17:01
Anton Cicani
back button

Për të parën herë në historinë e Luksemburgut, një skuadër arriti të shkonte në grupet e Europa League dhe ai klub quhet F91 Dudelange. Mundohemi ta shpjegojmë pse në stadium dhe në selinë e klubit shkruhet “F91 DIDDELENG”: sepse në gjuhën franko-gjermane shqiptohet në atë formë.

Por, duke iu larguar emrit dhe atij numri 91 (viti i themelimit), mbetemi te klubi. 23 trofe të fituar në historinë 28 vjeçare. Praktikisht, 1 trofe në 1 vit e dy muaj! Jo keq, apo jo?

Plot 70 ndeshje europiane, mes Champions League dhe Europa League/Kupa UEFA apo Kupa e Kupave e famshme. Pikërisht aty do të niste aventura e skuadrës së drejtuar nga Emilio Ferrera, që dikur ka luajtur me Anderlecht përpara se të ndërmerrte rolin e trajnerit, duke provuar 20 stola të ndryshëm (ndonjëherë edhe si ndihmës).

Një trajner që është mësuar me të rinjtë dhe të cilin Besnik Hasi e njeh mjaft mirë. Dikur kanë punuar edhe bashkë. Ferrera është duke tentuar që të bëjë atë që sezonin e shkuar bëri Dino Toppmoller, i cili tashmë drejton Virton, klub që ndodhet në Luksemburg por që merr pjesë në kampionatin belg.

Por, le të kthehemi te Dudelange, që pasi arriti sezonin e shkuar të shkonte në grupet e Europa League, duke u përballur me Milan, Olympiacos dhe Betis, arriti të merrte 1 pikë ndaj spanjollëve, në barazimin 0-0 në Luksemburg.

Pikërisht aty ku stadiumi “Josy Barthel Stadium” është i kombëtares por edhe i Dudelange sa herë që luan ndeshjet europiane. Plot 8000 vende, por vetëm me 1239 persona në shkallë duke ndjekur sfidën e turit të tretë kualifikues të Europa League, ndaj kampionëve të Estonisë, Nomme Kalju.

Klubi i Luksemburgut gjeti mbrëmjen perfekte, me gjermanin Stolz (ish-pjesë e Sandhausen) që realizoi tri gola. Edhe pse estonezët shënuan një gol, tashmë në fushën e tyre do të duhet një përmbysje e madhe. Ndryshe, për të dytin vit radhazi, klubi i shtetit me 600 mijë banorë dhe bankave mund të rikonfirmojë atë që bëri vjet, pra të kalonte kufinjtë edhe në futboll.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit