Pandev, çfarë akuze ndaj Juventusit: Në Superkupën e Pekinit na vodhën…

5 Tetor 2022
15:20
Alfred Lleshi
back button

Goran Pandev ka veshur fanellën e Napolit nga viti 2011 deri më 2014, duke shënuar 22 gola në 124 paraqitje. Ish-sulmuesi foli për “Radio Kiss Kiss”, ku komentoi momentin e shkëlqyer të formës së skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti:

“Jam i lumtur për Napolin, po luan futbollin më të mirë në Evropë. Nuk është për të gjitha skuadrat ajo që po bën Napoli. Ka shumë fytyra të reja, ndër të tjera që nuk i kemi njohur. Shpresoj të vazhdojë kështu.

Në Ligën e Kampionëve të gjithë duan të luajnë dhe kjo i ndihmon Napolit, që ka lojtarë të shpejtë dhe shumë të fortë nga pikëpamja teknike. Reaprti mbrojtës po bën gjëra të shkëlqyera, si dhe mesfusha. Shpresojmë që të mund të marrë një trofe në fund të sezonit”.

Fjalë-mjaltë edhe për Raspadori: “Po flasim për një djalë të ri, por me shumë, shumë personalitet. Nëse Napoli të merr dhe investon tek ty duke shpenzuar ato para, do të thotë që je vërtet i fortë”.

Pandev gjithashtu “hoqi një guralec nga këpucët” e tij, duke folur për finalen e Superkupës 2012 të luajtur në Pekin, midis Napolit dhe Juventusit. Bardhezinjtë e fituan ndeshjen 4-2, duke rikuperuar disavantazhin 2-0.

Ish-sulmuesi maqedonas kishte shënuar golin e 2-0, por më pas u përjashtua në minutën e 84-t, me rezultatin 2-2: “E vodhën lojën, mund të fitonin vetëm kështu…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit