Panucci me “dhimbje koke”, tre kuqezinj i vijnë të dëmtuar në grumbullim

18 Mars 2019
13:00
Alfred Lleshi
back button

Christian Panucci po përballet me një realitet jo fort pozitiv, në ditën e parë të grumbullimit të kombëtares për kualifikueset e këtij muaji: ndaj Turqisë, më 22 mars, në “Loro Boriçi”, dhe ndaj Andorrës, tri ditë më pas, në fushën e kësaj të fundit. Eshtë konstatuar se tre prej lojtarëve të mbërritur në “Resort Tropikal” kanë shqetësime serioze fizike, aq sa vihet në dyshim mundësia e tyre për të kontribuar.

Më konkretisht, mesfushori Andi Lila, që luan në Greqi, vuan nga një problem muskulor. Burime pranë kombëtares thonë se kavajasi ka pak shanse ta vijojë grumbullimin, i pamundur të stërvitet, për shkak të një tërheqjeje. Stafi mjekësor kuqezi ka vendosur ta mbajë nën kontroll dy ditë, duke bërë fizioterapi, me shpresën te ndonjë mrekulli. Edhe mbrojtësi Egzon Binaku ka ardhur i lënduar në kombëtare. 

Ai ka pësuar një goditje të fortë në pulpën e këmbës, një javë më parë, dhe ende ka dhimbje shqetësuese. Për pasojë, nuk mund të stërvitet me ngarkesë të plotë. Për 48 orë, edhe ai do të jetë nën mbikqyrje, për të parë nëse mund të luajë ndaj Turqisë apo jo. Edhe Bekim Balaj ka shqetësime serioze fizike. 

Shkodrani doli para kohe të shtunën (minuta e 67-të) nga ndeshja kunër UFA, e fundit në radhë e kampionatit rus, për shkak të një kontraktimi muskulor. Ai ndien ende dhimbje dhe nuk mund të rrezikojë me ngarkesa fizike. Sidoqoftë, shpresohet se ai mund të riaftësohet plotësisht deri të premten dhe të jetë në dispozicion të trajnerit Panucci. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit