PAQE NË LONDËR | Jorginho vendos Chelsea-United: gafë dhe penallti. Misteri “Ronaldo”

28 Nëntor 2021
19:25
Telesport

Nuk ka fitues në supersfidën mes Chelsea dhe Manchester United por “Djajtë” i bëjnë një nder kushërinjve të City-t duke qenë se tashmë renditja është e ngjeshur dhe skuadra e Tuchel është vetëm 1 pikë përpara.

Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar teksa Chelsea ka provuar më shumë, por Ronaldo në stol është misteri i ndeshjes. Duhet pjesa e dytë për të parë dy gola.

Gafë dhe pastaj penallti – Jorginho e ka nisur pjesën e dytë me një gafë të frikshme në zonën e tij, teksa një goditje këndi u largua nga mbrojtja e United. Mesfushori kampion Europe dhe fitues i Champions tentoi të ulte një top të gjatë dhe gaboi totalisht, duke i dhënë kështu rrugën e hapur Sanchos në shpejtësi.
Futbollisti i United mposhti vetëm për vetëm Mendy duke i dhënë avantazhin Djajve.

Por, pikërisht italo-braziliani, arriti të thyejë mallkimin e penalltive duke shënuar më pas 1-1 për faullin e shkaktuar nga Bisaka. Një 11-të metërsh që është rikthyer në formën e dikurshme, pra me një kërcim përpara goditjes, diçka që Jorginho kishte hequr në penalltitë e fundit.

Ronaldo – Befasia e madhe e mbrëmjes ka qenë lënia në stol e Cristiano Ronaldos nga Carrick. Në fakt, habi se si CR7 u fut vetëm në minutën e 64-të në vend të Sanchos.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit