“Paqja e ftohtë” mes Mbappe dhe Neymar, rreziku i madh që mund ta fundosë PSG

30 Shtator 2022
11:00
Alfred Lleshi
back button

Marrëdhënia mes Kylian Mbappé dhe Neymar në PSG ka ngritur dyshime javët e fundit. Prestigjiozja franceze “L’Equipe” raporton disa episode përplasjeje mes dy yjeve të PSG. Hugo Delom dhe José Barroso thonë se “dy futbollistët nuk duan konflikte të drejtpërdrejta, por ekuilibri mes të dyve mbetet i pasigurt”.

Pas pesë vitesh, menaxhimi i marrëdhënies mes Neymar dhe Mbappé, të cilën ata e përkufizojnë si “paqe e ftohtë”, është kthyer në një nga sfidat e sezonit të PSG.

“Tashmë e plagosur nga përplasjet gjatë dy viteve të fundit, marrëdhënia midis M dhe N duket se ka marrë një kthesë të ashpër këtë sezon”, – raportojnë Hugo Delom dhe José Barroso.

Refuzimi i fundit i Neymar për të folur mbi marrëdhënien e tij me Mbappé ka shërbyer vetëm për t’i hedhur benzinë ​ zjarrit.

“Marrëdhënia ime me Mbappe? Unë nuk…”, – tha së fundi Neymar, duke shtrembëruar fytyrën dhe refuzuar të përgjigjet më tej për raportin që ka me partnerin e tij në dhomën e zhveshjes pariziene.

Nga ana e tij, Mbappé tha në fillim të shtatorit: “Marrëdhënia ime me Neymar? Ka raste kur jemi miqtë më të mirë në botë dhe të tjera kur flasim më pak. Sidoqoftë, ka shumë respekt të ndërsjellë”.

“L’Equipe” raporton se fillimi i mosmarrëveshjes mes Neymar dhe Mbappe mund të kishte nisur në verë, kur PSG po shqyrtonte transferimin e brazilianit. Neymar gjithmonë ka menduar se sulmuesi francez ka ndërhyrë drejtpërdrejt në atë vendim të klubit parizien.

Marrëdhëniet mes tyre u gërryen keq, madje u prishën në fillim të këtij sezoni kur të dy debatuan për ekzekutimin e një penalltie kundër Montpellier. Pas këtij incidenti, Neymar nuk hezitoi t’i bëjë “like” një kritike ndaj Mbappe në TWitter.

“Tani është zyrtare, Mbappé i ekzekuton penalltitë te PSG. Qartësisht kjo është një çështje kontrate, sepse në asnjë klub në botë, që ka Neymar, ai nuk do të ishte goditësi i dytë i penalltive. Duket se Mbappe e ka të shkruar këtë në kontratën e re me PSG”,-  ishte mesazhi ndaj Mbappe, që Neymar e pëlqeu shumë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit