Partizani bën ligjin, shpallet kampion i Shqipërisë në volejboll për femra

12 Prill 2021
19:15
Telesport
back button

Partizani është shpallur sot në mbrëmje kampion i Shqipërisë në volejboll për femra për sezonin sportiv 2020-2021, pas fitores 3-0 ndaj Tiranës në finale e tretë të play off-it, ndeshje e luajtur në “Asllan Rusi”. Skuadra e “kuqe” i fitoi me rezultatin 3-0 të trija ndeshjet finale, duke u shpallur kështu kampione.

Një triumf i merituar i ekipit të Partizanit, që drejtohet nga trajneri Andi Lundra. Partizani dominoi këtë sezon, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë pak javë më parë, duke u konfirmuar si ekipi më i mirë i sezonit 2020-2021. Një sezon “flash”, që nisi në shkurt dhe përfundoi në prill për shkak të pandemisë.

Edhe pse në kampionat Partizani nuk ishte skuadra më e mirë, duke u renditur e dyta në Grupin B dhe pësoi dy humbje, në play off të “kuqtë” treguan realisht nivelin e tyre. Partizani, në fazën play off, si në Kupë ashtu dhe në kampionat, nuk humbi asnjë ndeshje, duke marrë maksimumin atëherë kur duhej.

Ashtu si në dy finalet e para edhe sot Partizani e dominoi ndeshjen, duke e merituar fitoren. Tirana ishte e pafuqishme të përballonte ritmin e rivalëve, duke u dorëzuar shpejt. Bardheblutë rivalizonin deri në pikën e 15-të dhe më pas humbisnin terren. Të kuqtë shkëputeshin dhe i fituan të trija setet me shifrat 25-11, 25-17 e 25-20.

Pas pikës së fundit nis festa për skuadrën e kuqe, që për fat të keq e festoi këtë titull pa tifozët, pasi i gjithë ky sezon u zhvilla pa publik.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit