Partizani e Barleti Volley fitojnë gjysmëfinalet e para të play off-it

15 Prill 2019
22:34
Telesport
back button

Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet janë luajtur sot në mbrëmje dy ndeshjet e para gjysmëfinale të play off-it në volejoll për femra. Partizani fitoi 3-2 me përmbysje ndaj Mirditës, ndërsa Barleti Volley mposhti 3-0 Tiranën në derbin kryeqytetas. Fitore që afrojnë dy ekipet kryeqytetase me finalen e madhe, pasi Partizani dhe Barleti udhëheqin 1-0 me ndeshje (të dyja ndeshjet u transmetuan nga TELESPORT).

Në gjysmëfinalen e parë, Partizani mposhti 3-2 Mirditën, një ndeshje me rivalitet dhe emocione në të pesta setet. Kryeqytetaset e nisën mirë ndeshjen, duke fituar setin e parë, por shpejt vjen rikuperimi i rrëshenaseve, që fitojnë dy setet e tjera. Mirdita udhëheq 2-1 me sete, por loja pëson sërish ndryshim të rrjedhës.

Këtë herë është Partizani që luan më mirë, duke fituar setin e katërt dhe barazon 2-2 setet. Fituesi vendoset në setin final, aty ku kryeqytetaset janë më të sakta, shkëputen që në fillim e fitojnë 15-7 dhe krejt takimin 3-2. Një ndeshje që zgjati dy orë, duke argëtuar tifozerinë.

Më e lehtë fitorja e Barleti Volley, që mundi 3-0 Tiranën, një takim që shumicën e kohës u dominua nga volejbollistet e trajnerit Gurabardhi. Pas një seti të parë të ekuilibruar, fituar 25-21 nga Barleti, në të dytin loja nuk ka shumë histori, pasi universitaret kanë epërsi në fushë, duke fituar me diferencë pikësh. E njëjta pamje edhe në setin e tretë, me Barletin që dikton në fushë dhe fiton me lehtësi këtë sfidë të parë gjysmëfinale.

Volejboll-Femra, Gjysmëfinale Play off

Mirdita – Partizani, 2-3 (23-25, 25-17, 25-15, 19-25, 7-15)

Barleti – Volley – Tirana, 3-0 (25-21, 25-15, 25-13)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit