Partizani eliminon Erzenin kampion, Tirana-Vllaznia me ndeshje shtesë

22 Prill 2019
21:44
Telesport
back button

Partizani është ekipi i parë finalist i play off-it në volejboll për meshkuj, duke eliminuar në gjysmëfinale Erzenin kampion në fuqi. Kryeqytetasit fituan sot 3-1 ndaj shijakasve në gjysmëfinalen e luajtur në “Asllan Rusi”, duke fituar 2-0 serinë e ndeshjeve. Një ndeshje dramatike, emocionuese dhe me rivalitet, ku nuk mungoi edhe tensioni, sfidë që zgjati 2 orë e 20 minuta. Në fund triumfoi Partizani, më i motivuar dhe kërkues, duke qenë më i saktë në momentet vendimtare dhe përfitoi nga gabimet që bëri skuadra shijakase, që në këtë mënyrë dorëzon titullin.

Dy setet e para të lojës janë me luhatje në lojën e dy skuadrave, me Partizanin që dominon në të parin, ku fiton 25-19. Në setin e dytë vjen replika e Erzenit, që luan më mirë dhe arrin të fitojë 25-18, duke barazuar në 1-1 shifrat. Seti i tretë është ai që vendos fatin e takimit, një set maratonë, ku ka edhe tensione, pasi tifozët hedhin sende në fushë. Pas 45 minutash fiton Partizani 39-37, një set që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Mjaft e fortë loja edhe në setin e katërt, me shijakasit që e nisin mirë lojën, por shpejt të “kuqtë” rikuperojnë e fitojnë 25-21, duke nisur festën e kualifikimit në finale.

Tirana i jep një leksion skuadrës së Vllaznisë në “Fahrie Hoti”, ndeshje me emocione vetëm në dy setet e para. Një ndeshje që në fakt nisi mirë për shkodranët, që pas një loje dramatike fituan 28-26 setin e parë. Gjithsesi, emocionet vijojnë edhe në setin e dytë, ku sërish fituesi vendoset në fund, këtë herë Tirana, me shifrat 25-23. Dy setet e tjera janë një formalitet për bardheblutë, që kanë epërsi në parket e fitojnë 25-14 dhe 25-18, duke fituar krejt ndeshjen 3-1. Sukses i merituar i bardhebluve, që barazojnë 1-1 serinë e gjysmëfinaleve (sfida e tretë luhet në Shkodër).

Volejboll – Meshkuj, Gjysmëfinale Play off (19 prill)

Vllaznia – Tirana, 3-0 (25-18, 25-13, 25-23)

Erzeni – Partizani, 2-3 (25-18, 20-25, 22-25, 25-19, 12-15)

Volejboll – Meshkuj, Gjysmëfinale Play off (22 prill)

Partizani – Erzeni, 3-1 (25-19, 18-25, 37-35, 25-21)

Tirana – Vllaznia, 3-1 (26-28, 25-23, 25-14, 25-18)

*Partizani në finale, Tirana e Vllaznia barazim 1-1 me ndeshje

Lajme të tjera

Lajmet e fundit