Partizani fiton derbin me Tiranën dhe bën rokadë në renditje

18 Shkurt 2019
18:58
Telesport
back button

Java e 9-të e Kampionatit Kombëtar në Volejboll për femra është mbyllur sot pasdite me derbin Partizani-Tirana, fituar 3-1 nga skuadra e “kuqe”. Takimi i luajtur në “Asllan Rusi” ka qenë mjaft i bukur dhe me rivalitet në shumicën e kohës, sfidë ku Partizani përmbysi disavantazhin e setit të parë. Tirana befasoi të kuqtë në setin e parë, por kur Partizani ngre ritmin e lojës së tij merr komandën dhe fiton, duke treguar epërsi.

Tirana e nis më mirë ndeshjen, duke e dominuar lojën në setin e parë, ku shkëputet që në start e fiton thellë 25-10. Gjithsesi, ky moment i keq për Partizanin kalon shpejt, që “zgjohet” në setin e dytë dhe rivalizon fort për çdo pikë, duke e bërë takimin më spektakolar. Pas shumë barazimesh, të kuqtë fitojnë 25-23 setin e dytë dhe marrin hov nga ky sukses, për të fituar 25-18 edhe setin e tretë, duke përmbysur shifrat.

Loja bëhet sërish interesante në setin e katërt, ku të dyja skuadrat luajnë për fitoren dhe rezultati barazohet disa herë deri në fund. Gjithsesi, Partizani është më i saktë në pikët vendimtare, duke u shkëputur dhe fiton 25-23 e krejt ndeshjen 3-1. Tri pikë të arta për Partizanin, që ngjitet në vendin e tretë dhe zbret në të katërtin Tiranën, duke bërë rokadë në renditje.

Volejboll – Femra, Grupi A1, java e 9-të (e premte, 15 shkurt)

Vllaznia – Barleti Volley, 2-3 (25-21, 26-24, 18-25, 18-25, 8-15)

E shtunë, 16 shkurt

Lushnja – Skënderbeu, 2-3 (24-26, 25-15, 16-25, 25-21, 11-15)

Teuta – Mirdita, 1-3 (24-26, 21-25, 25-16, 13-25)

E hënë, 18 shkurt

Partizani – Tirana, 3-1 (10-25, 25-23, 25-18, 25-23)

Renditja: Mirdita 24 pikë (8/1), Barleti Volley 21 pikë (7/2), Partizani 20 pikë (7/2), Tirana 18 pikë (6/3), Teuta 9 pikë (3/6), Skënderbeu 8 pikë (3/6), Vllaznia 6 pikë (2/7), Lushnja 2 pikë (0/9).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit