Partizani frymëzohet nga… Liverpool, klubi merr vendimin e rëndësishëm

10 Shkurt 2020
13:59
Alfred Lleshi
back button

Partizani gjendet para një misioni të vështirë, por jo të pamundur. Të mërkurën, më 12 shkurt, kampionët e vendit në fuqi duhet të ngjisin një “mal” të madh, për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. E thënë ndryshe, duhet të përmbysin disavantazhin 3-0, të fiksuar dy javë më parë në Lezhë, ndaj Besëlidhjes. Në pamje të parë duket e njëjta situatë, në të cilën gjendej Liverpool sezonin e shkuar në Champions, mbas gjysmëfinales së parë, kur u mund 3-0 në “Camp Nou”. Në kthim, në “Anfield”, të gjithë panë atë përmbysje epike dhe heroike të të besuarve të Jurgen Klopp, duke siguruar finalen dhe më pas trofeun. 

Parë kështu, ky moment është një pikë referimi për t’i frymëzuar të kuqtë e Sormanit. Në funksion të kualifikimit me çdo kusht, ndeshja në fjalë është vendosur të luhet në “Elbasan Arena”. Komoditeti i fushës është një “armë” plus për Partizanin, që zhvillon lojë teknike, kundër lezhjanëve të Plorit, që në duelin e parë triumfuan falë shpirtit të lartë të garës, në një terren krejt të papërshtatshëm për futboll kualitativ. 

Klubi i kuq, po ashtu, ka bërë edhe një “okazion” të rëndësishëm për tifozët. Hyrja në stadium, për këtë ndeshje, do të jetë falas. E gjitha kjo synon që tifozëria të jetë sa më e shumtë në Elbasan të mërkurën, që ta mbështesë skuadrën e zemrës në objetivin e vështirë, por që duhet përmbushur patjetër, kualifikimin. Ja njoftimi i Partizanit me këtë rast:

KUPA E SHQIPËRISË – TURI 1/8
FK PARTIZANI-KS BESËLIDHJA
E MËRKURË, 12 SHKURT
ORA 13:30
STADIUMI “ELBASAN ARENA”
Klubi njofton se për këtë takim, hyrja në stadium do të jetë falas.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit