Partizani kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, titulli rikthehet pas 38 vitesh

4 Maj 2019
20:24
Telesport
back button

Pas 38 vitesh, ekipi i Partizanit është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj për sezonin 2018-2019. Kryeqytetasit fituan 3-0 serinë e finaleve ndaj Vllaznisë, duke fituar sot në mbrëmje 3-0 ndaj shkodranëve në “Qazim Dervishi”, në takimin e tretë final. Ndeshje që ka mbyllur çdo diskutim për sa i përket ekipit kampion, aty ku tashmë mbretëron Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri.

Ndonëse pritej një reagim nga ana e Vllaznisë, që luante në fushën e saj dhe vetëm fitorja mund ta rikthente në lojë për titull, fusha tregoi se Partizani ishte i paarritshëm. Të kuqtë e dominuan ndeshjen në të trija setet, duke patur epërsi nga fillimi deri në fund. Vllaznia e nisi ndeshjen me frikën e humbjes dhe ashtu e mbylli, duke gabuar shumë dhe nuk arriti për asnjë moment të rivalizojë.

Partizani, i karikuar nga fitoret e arritura në dy finalet e para, luajti mirë, ishte i saktë në veprimet taktike, duke patur gjatë gjithë kohës një epërsi të lehtë prej 4-5 pikësh. Të trija setet ishin fotokopje të njëta-tjetrës, me të kuqtë që krijonin një avantazh të lehtë dhe e ruanin atë deri në fund, duke e merituar fitoren. Ndërsa seti i tretë ishte një formalitet për kryeqytetasit, ndaj një Vllaznie të dorëzuar. Në fund festë legjitime për ekipin kryeqytetas, që shpallet kampion pas 38 vitesh.

Volejboll – Meshkuj, finale play off

Vllaznia – Partizani, 2-3 (25-20, 24-26, 25-23, 21-25, 12-15)

Partizani – Vllaznia, 3-2 (25-15, 16-25, 23-25, 25-23, 15-11)

Vllaznia – Partizani, 0-3 (21-25, 21-25, 12-25)

-Partizani fitoi 3-0 serinë e finalevee ndaj Vllaznisë

Lajme të tjera

Lajmet e fundit