Skuadra e Partizanit në volejboll për femra po vijon nga puna për ndërtimin e një ekipi cilësor, që të konkurrojë denjësisht në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, gjatë ditëve të fundit janë zyrtarizuar 5 blerje, katër prej të cilave nga kampionati (Klonarda Nezaj, Joana Kushi, Fatbardha Picaku e Jola Gjermani) dhe një nga Sllovakia (Romana Hudecova).
Gjithsesi, puna nuk ka përfunduar, pasi ekipi ende nuk ka një trajner, pas largimit në Amerikë të Roland Tares. Për këtë arsye, presidenti i skuadrës së “kuqe”, Rogert Huqi, është duke punuar për të sjellë në Tiranë një trajner me emër dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare. Huqi ka konfirmuar se te Partizani është afruar në detyrën e zv.trajnerit turku Berkant Cakir, trajner i kategorisë së parë në Turqi. Ai do të punojë së bashku me zv.trajnerin tjetër Ilir Thanasi.
“Në këto momente jemi duke kompletuar skuadrën me lojtaret e duhura për të zhvilluar një sezon kompetitiv në kampionatin tonë dhe në Europë. Gjithashtu edhe stafin, me dy zv.trajnerë. Ndërkohë që, së shpejti do të njoftojmë edhe emrin e trajnerit. Do të jetë një surprizë për të gjithë. Nuk e mohoj që te Partizani në volejboll për femra po synojmë ndërtimin e një ekipi bashkëkohor, në të gjitha drejtimet”, tha për “Telesport.al” presidenti Rogert Huqi.
Sezonin e ardhshëm 2019-2020, Partizani do të luajë edhe në Champions League (më datat 8 dhe 15 tetor). Në raundin e parë, kampionet e Shqipërisë në volejboll për femra do të luajnë ndaj boshnjakeve të Zok Bimal-Jedinstvo Brcko.