Partizani merkato në Kubë, të kuqtë firmosin me shtatlarten Casales

25 Janar 2019
15:29
Telesport
back button

Merkatoja e janarit vijon me surpriza në sportin e volejbollit. Pas ardhjes së një lojtari bjellorus që firmosi ditët e fundit për Vllazninë, sot konfirmohet edhe transferimi i një volejbolliste kubaneze, e cila ka nënshkruar për ekipin e Partizanit. Bëhet fjalë për 29-vjeçaren Dayesi Masso Casalis Casales, e cila luan si diagonaliste ose shutere kryesore.

Dayesi Masso Casalis Casales

Volejbollistja 1.84 metra e gjatë, ka disa ditë që ndodhet në Tiranë, ku ka qenë në provë dhe më pas ka firmosur për të kuqtë e trajnerit Roland Tarja. Ajo është volejbollistja e dytë e huaj në radhët e Partizanit këtë sezon, ku aktivizohet edhe një lojtare turke. Partizani është kampion në fuqi dhe synon që të ruajë këtë pozicion edhe këtë sezon.

Ardhja e Casales konsiderohet si një përforcim i rëndësishëm për Partizanin, që tashmë ka dy shutere të huaja shtatlarta dhe të forta. Skuadra kryeqytetase përforcohet ndjeshëm për fazën e dytë të kampionatit dhe për finalet e Kupës së Shqipërisë. Gjithsesi, merkatoja e janarit është ende e hapur dhe mund të rezervojë të tjera surpriza në të ardhmen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit