Partizani mposht Vllazninë edhe në finalen e dytë, titulli kampion një fitore larg

1 Maj 2019
21:24
Telesport
back button

Partizani ka mundur 3-2 Vllazninë në finale e dytë të play off-it në volejboll për meshkuj, duke udhëhequr 2-0 serinë e finaleve. Takimi i luajtur sot në mbrëmje në “Asllan Rusi” ishte mjaft i bukur, me rivalitet dhe emocione, me rezultatin që u përmbys disa herë. Shkodranët shpërdoruan avantazhin 1-2 me sete, duke i dhënë mundësi Partizanit të rikuperojë dhe fitojë. Të kuqtë janë shumë pranë titullit, ndërkohë që u duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampion.

Partizani e nis mirë ndeshjen, duke fituar pa shumë vështirësi setin e parë 25-15, por loja merr një tjetër rrjedhë në vijim. Vllaznia “zgjohet” dhe përmbys menjëherë situatën, duke fituar 25-16 setin e dytë. Seti i tretë është shumë emocionues dhe dramatik, me shumë barazime. Gjithsesi, në fund fiton skuadra shkodrane 25-23, që del në avantazh me sete.

Mjaft i bukur edhe seti i katërt, ku vetëm në momentet e fundit Partizani shkëputet e fiton 25-23, duke barazuar 2-2 setet. Gjithcka vendoset në setin final, aty ky kryeqytetasit kanë një epërsi të lehtë. Shkodranët tentojnë të rikuperojnë por pa sukses, pasi Partizani shkëputet dhe fiton 15-11 e krejt ndeshjen 3-2. Sukses që afron të “kuqtë” me titullin që mungon prej 38 vitesh (ndeshja e radhës zhvillohet më 4 maj, në Shkodër).

Volejboll – Meshkuj, finale play off

Vllaznia – Partizani, 2-3 (25-20, 24-26, 25-23, 21-25, 12-15)

Partizani – Vllaznia, 3-2 (25-15, 16-25, 23-25, 25-23, 15-11)

4 maj, Vllaznia – Partizani, ora 19:00 (Shkodër)

-Partizani udhëheq 2-0 me ndeshje ndaj Vllaznisë

Lajme të tjera

Lajmet e fundit