Partizani mposht Vllazninë në Shkodër, hedh hapin e parë drejt titullit

28 Prill 2019
21:39
Telesport
back button

Partizani mposhti 3-2 Vllazninë në finalen e parë të play off-it në volejboll për meshkuj, duke udhëhequr 1-0 serinë e finaleve. Ndeshja e luajtur sot në mbrëmje në Shkodër ka qenë spektakolare, zgjati 2 orë e 25 minuta, ku të dyja skuadrat dueluan fort për cdo pikë. Tifozeria që kishte mbushur plot pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, shijoi një ndeshje me shumë rivalitet, ku herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri.

Vllaznia doli dy herë në epërsi, duke fituar setin e parë dhe atë të tretë, por po dy herë u arrit nga Partizani, që asnjëherë nuk hoqi dorë. Të kuqtë barazonin gjithnjë shifrat e seteve, duke fituar atë të dytë dhe atë të katërt.

Kështu, fituesi doli në setin final, aty ku Partizani kishte një epërsi të lehtë dhe fitoi 15-12, duke e nisur mbarë këtë seri të finaleve. Ndeshja e kthimit do të luhet në kryeqytet më 1 maj.

Volejboll – Meshkuj, finale play off

Vllaznia – Partizani, 2-3 (25-20, 24-26, 25-23, 21-25, 12-15)

1 maj, Partizani – Vllaznia, ora 19:00 (Asllan Rusi)

4 maj, Vllaznia – Partizani, ora 19:00 (Shkoder)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit