Partizani nuk ndalet në merkato, vijnë 4 përforcime nga kampionati

12 Korrik 2019
14:38
Telesport
back button

Skuadra e Partizanit në volejboll për femra nuk ndalet në merkaton e verës dhe në përgatitjet që po bën për sezonin e ri sportiv 2019-2020. Pas afrimit të volejbollistes sllovake Romana Hudecova, presidenti i skuadrës së “kuqe”, Rogert Huqi, ka konfirmuar edhe 4 blerje të tjera.

Këtë herë bëhet fjalë për 4 volejbolliste që vijnë nga kampionati shqiptar: Klonarda Nezaj (e cila vjen nga Mirdita); Fatbardha Picaku e Jola Gjermani (vijnë nga Barleti Volley) si dhe Joana Kushi (vjen nga Tirana). Për shtatlarten Nezaj ky është një rikthim te Partizani, ku ka luajtur dy sezone më parë.

Pra, Partizani, “me një gur vret dy zogj”. Përforcohet edhe më shumë me lojtare të talentuara për sezonin e ri dhe, në kahun tjetër, dobëson ndjeshëm skuadrat rivale për titull. Një strategji që synon ta mbajë skuadrën kryeqytetase sërish në elitën e volejbollit shqiptar të femrave.

Pata premtuar se merkato jonë nuk do të ndalet vetëm me lojtaren sllovake. Afruam 4 lojtare nga kampionati shqiptar, volejbolliste me përvojë por edhe disa të reja të talentuara. Ne duam të ndërtojmë një ekip pretendent, duke qenë se do të luajmë edhe në Champions League”, tha presidenti Rogert Huqi për “Telesport.al”.

Siç dihet, Partizani do të luajë edhe në Champions League sezonin e ri. Në raundin e parë, kampionet e Shqipërisë në volejboll për femra do të luajnë ndaj boshnjakeve të Zok Bimal-Jedinstvo Brcko, më datat 8 dhe 15 tetor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit