Partizani prish “magjinë” e vitit 2023 dhe i bën presion Tiranës kryesuese

13 Shkurt 2023
15:44
Alfred Lleshi
back button

Java e 21-të e Superiores u mbyll sot me ndeshjen Bylis-Partizani 0-1. Sfidën mjaft të luaftuar në “Adush Muça”, e cila në ndonjë rast edhe u tensionua shumë, sa tifozët hodhën sende të forta në fushë dhe gjyqtari i mblodhi lojtarët të tuneli i stadiumit, është vendosur nga një gol i vetëm i Mensah 77’. Pas dy shtyllave, të kuqtë kryeqyetas ia dolën ta tundin rrjetën e Teqes në këtë rast, duke dalë me tri pikë të arta nga kjo transfertë.

Kjo është fitorja e parë e Partizanit për vitin 2023, duke kthyer disi edhe qetësinë e trazuar pas disa zhgënjimeve. Tashmë, të kuqtë janë në kuotën e 34 pikëve, aq sa Vllaznia, duke ndarë me kuqeblutë vendin e dytë dhe të tretë. Me tri pikë më pak se Tirana, të dyja këto skuadra duket se do t’iu bëjnë presionin më të madh bardhebluve për titullin.

Një objektiv që trajneri i Partizanit, Giovani Colella tha se nuk do ta përmendë më, duke folur pas fitores minimale në Ballsh: “Çfarë ka ndryshuar me më parë? Skuadra ka ndryshuar, nuk kemi çfarë të bëjmë. Jam dakord që ka ndryshuar, por ekipi duhet të gjejë ekuilibra të rinj se kanë ndryshuar lojtarët.

Është një moment mosbesimi kur nuk vijnë rezultatet, të bëjnë të luash më keq. Shpresojmë që kjo fitore të na ndihmojë të rifitojë besimin dhe të kthejë në formë ata që kanë ardhur rishtaz në janar, se kush vjen nuk është në gjendje si ata që kanë ikur dhe pak nga pak do t’ia dalim.

Ky është një nga objektivat në këtë vit, që të zhvillojmë lojtarët e rinj. Sa më shumë të vijnë, aq më mirë është. Kanë ardhur djem shumë inteligjentë, që kanë motivim të madh dhe shumë dëshirë. Jam unë i pari që inatosem, por nuk jam unë ai që duhet t’iu kërkoj shumë gjëra që i bëjnë për herë të parë në jetën e tyre.

Si nga ana fizike, si psikologjikisht, në 5 minuta nuk mund t’i kërkoj Mba që të bëjë diçka që nuk e ka bërë kurrë në jetën e tij. Nuk më intereson, nuk do të flas më për titullin, t’i marrim ndeshjet me radhë.

Përfundova ndeshjen me me Bylisin dhe tani mendoj për Erzenin, pa thënë pse na duhen tri pikët. Do të bëjmë maksimumin për t’i marrë tri pikët e radhës. Pastaj, pas disa kohësh do të bëjmë llogaritë dhe të shohim se për çfarë na nevojiten”.

Standings provided by Sofascore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit