Partizani surprizon kampionët shijakas, Vllaznia “leksion” Tiranës

19 Prill 2019
21:25
Telesport
back button

Partizani dhe Vllaznia kanë fituar sot në mbrëmje takimet e para gjysmëfinale të play off-it në volejboll për meshkuj, duke udhëhequr 1-0 me ndeshje dhe hedhin një hap të sigurtë drejt finaleve. Skuadra kryeqytetase ka fituar 3-2 ndaj kampionëve të Erzenit, ndërsa shkodranët mundën 3-0 Tiranën.

Mjaft e bukur ndeshja e luajtur në mjediset e Akademisë Goga, ku Erzeni dhe Partizani i dhanë jetë një gjysmëfinaleje mjaft dramatike. Shijakasit e nisin mirë ndeshjen, duke fituar setin e parë, por shpejt përmbys Partizani, që fiton dy setet e tjera dhe del përpara. Erzeni nuk dorëzohet dhe rikthen ekuilibrin në fushë, duke fituar setin e katërt dhe barazim 2-2.

Dramatik edhe seti final, ku fillimisht udhëhoqi Erzeni e më pas Partizani, që u shkëput në pikët e fundit dhe fitoi 15-12. Ky set pati edhe një moment tensioni në shifrat 8-8, ku dy lojtarë u ndëshkuan me të kuqe (nga një për çdo ekip). Gjithsesi, Partizani u tregua më i qetë në momentet finale dhe mori një fitore me shumë vlera (takimi u transmetua nga TELESPORT).

Vllaznia fitoi me meritë ndeshjen ndaj Tiranës me rezultatin 3-0, sfidë e uajtur në qytetin e Shkodrës. Dy setet e para ishin një formalitet për skuadrën shkodrane, që pati epërsi në fushë, duke fituar me diferenca pikësh (25-18 dhe 25-13). Bardheblutë “zgjohen” në setin e tretë dhe synojnë të rihapin ndeshjen, por gabojnë në fund. Pas barazimit 22-22 Vllaznia shkëputet dhe fiton 25-23, duke fituar krejt takimin 3-0.

Volejboll – Meshkuj, Gjysmëfinale Play off (19 prill)

Vllaznia – Tirana, 3-0 (25-18, 25-13, 25-23)

Erzeni – Partizani, 2-3 (25-18, 20-25, 22-25, 25-19, 12-15)

*Vllaznia dhe Partizani udhëheqin 1-0 me ndeshje

Lajme të tjera

Lajmet e fundit