Partizani thumbon arbitrat pas humbjes në derbi: Tava e Elbasanit me ngjala Lezhe na sjell në këtë pikë…

8 Maj 2022
1:10
Telesport
back button

Olsi Rama ka shpërthyer ndaj arbitrave Enea Jorgji dhe Eldorian Hamiti pas humbjes së Partizanit në derbin kundër Tiranës, ku klubi bardheblu fitoi titullin kampion. Drejtori i Përgjithshëm i “Demave” theksoi se bardheblutë nuk kishin nevojë për ndihmën e arbitrave.

“E para urime Tiranës për këtë titull, kanë bërë një kampionat dinjitoz dhe besoj se e kanë merituar. Nuk besoj se kishte nevojë që të ndihmohej Tirana që të dilte kampion sot. Për arsye se ishte virtualisht kampione dhe e kishte vetë në dorë fatin e vet”.

“Sigurisht që mendoj se arbitri ndikoi në rezultatin e ndeshjes, ndikoi në dinamikën e ndeshjes, në shumë raste. Dua të di, kush ishte në VAR? Arbitër i VAR-it? Jorgji! Tani e kuptova. Është një tavë Elbasani e gatuar me ngjalat e Lezhës, që na sjell në këtë pikë. Unë nuk e kuptoj arsyen e anulimit të penalltisë.

Ka protokoll VAR-i dhe rregulla. Në qoftë se Hamiti e pa që s’kishte kontakt, duhet të kishte karton të verdhë ndaj Skukës dhe do të ishte karton i dytë i verdhë, pra karton i kuq. Nuk ka gjysëm të vërteta”.

“Ka vetëm një të vërtetë. Ka një protokoll VAR-i që është shumë specifik. Në qoftë se ka kontakt në fazën mbrojtës sulmues dhe jepet penallti, atëherë VAR-i nuk mund të ndërhyjë. Kontaktin në fushë e gjykon arbitri.

Ju sjell referencë një rast te ndeshja Juventus-Inter, penalltinë e Kuadrados, u dha penallti dhe u bë një polemikë e madhe pse VAR-i nuk ndërhyri dhe u shpjegua që VAR-i nuk ndërhyn kur ka kontakt. Në qoftë se nuk ka pasur kontakt, arbitri Hamiti duhet të kishte integritet t’i jepte kartonin e dytë Skukës”.

“Kur arbitri duhet të shkojë të ndërrojë një vendim në VAR, duhet të jetë 100 % i bindur, që vendimi që ka marrë në fushë, nga ajo që shikon në pamjet filmike, është tërësisht e gabuar. Në qoftë se nuk është 100% i bindur, nuk e ndryshon dot” .

“Fakti që nuk i ka dhënë kartonin e dytë të verdhë Skukës, tregon që nuk ka qenë 100 % i bindur. Nga pamjet filmike shikohet që ka pasur një kontakt të gjurit të Hoxhallarit me këmbën e majtë të Skukës”.

“Unë mendoj dhe them që ky ishte një gabim teknik i arbitrave dhe favorizim tërësisht në mënyrë të njëanshme Tiranën. S’po them më pas për faullet, shkelmat, etj. Nuk kishte nevojë Tirana të ndihmohej në këtë ndeshje derbi që të fitonte” .

“Nuk kishte nevojë fare. Edhe njëherë them, është një tavë Elbasani me ngjala Lezhe. Imagjinoni se çfarë shije mund të ketë dhe çfarë shije më le mua. Le të bëhemi të mirë, me qenë se Tirana po feston andej dhe të themi se arbitrat janë të paaftë. Por unë nuk besoj që janë të paaftë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit