Pas titullit, ylli i “Reds” shënjestron rekordin e Guardiolës: Ta mbyllim me 104 pikë

10 Korrik 2020
12:18
Alfred Lleshi
back button

Trent Alexander-Arnold po e shijon titullin e Liverpool-it, pas 30 vitesh “agjërimi” në Premier League. Po ashtu, ai dëshiron që “Reds” të hyjnë në librat e historisë me një rekord, duke e mbyllur kampionatin aktual me 104 pikë. Skuadra e Jurgen Klopp ka 92 pikë për momentin, me katër ndeshje të mbetura për t’u luajtur ende. Manchester City vendosi një “tavan” të ri për Premier League në këtë drejtim, sezonin 2017-2018, teksa arriti shifrat e trefishta (100 pikë).

Liverpool-it i duhen tri fitore për të vendosur rekord të ri. Forma sportive është padyshim në anën e tij, kur bëhet fjalë për të ndjekur qëllime të tilla, me një shifër mahnitëse prej 30 fitoresh në 34 ndeshjet e kampionatit aktual. Një rezultat tjetër për rekord. “Ky titull mbart shumë gjëra historike, që ndoshta njerëzit nuk i kanë parë më parë. Gjithçka tregon se sa të mirë kemi qenë përgjatë sezonit, sa të qëndrueshëm, – tha Alexander-Arnold për faqen zyrtare të “Reds”, duke analizuar ecurinë deri më sot. – Ne kemi punuar shumë për të qenë në gjendje t’i vendosim këto lloj rekordesh. Duam të vazhdojmë me këtë frymëzim e passion, t’i fitojmë edhe ndeshjet e mbetura. Pra, duhet të dëshmojmë mentalitetin tonë në ndeshjet e fundit, duke e ditur se sezoni i ardhshëm do të jetë i vështirë për ne”.

I pyetur për kapërcimin e rekordit 100-pikësh të “qytetarëve”, me ende 12 pikë të mbetura në lojë, Alexander-Arnold shtoi: “Pasi kemi fituar titullin, unë mendoj se duhet të kujtohemi si një ekip historik në Premier League. Duke grumbulluar më shumë pikë se Manchester City në sezonin e tij rekord, njerëzit nuk do të na harrojnë kurrë. Unë mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa të vendosësh një rekord pikësh, që të tjerët do ta kenë të vështirë ta arrijnë. Kësisoji, është diçka që ne duam të bëjmë. Na kanë mbetur edhe katër ndeshje…, pse të mos i shtojmë 12 pikët e plota. Le të shohim se sa larg mund të arrijmë. Personalisht ua kam vënë syrin 104 pikëve në mbyllje të kampionatit. Do të ishte vërtet bukur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit