Pas vërshëllimave dhe stolit, Suso del në shitje. Milani kërkon 25 milionë euro

14 Janar 2020
9:58
Alfred Lleshi
back button

Momentin më të ulët të aventurës së tij në Milano, Suso e preku më 6 janar: 0-0 kundër Sampdoria dhe një shfaqje për t’u harruar. Po ashtu, shumë vërshëllima shurdhuese nga publiku i padurueshëm i “San Siro” ndaj tij, i cili nuk ia falte as gabimin më të vogël të bërë në fushë. Të gjitha këto ishin të dhëna të dobishme për ta ulur në stol në ndeshjen pasuese ndaj Cagliari, ku i pa shokët e tij të skuadrës të fitojnë falë gjuajtjeve të Rafael Leão dhe Zlatan Ibrahimovic. Një duet sulmues kuqezi, që duket se tashmë do të funksionojë mjaft mirë.

Sipas asaj që raportohet nga “Corriere dello Sport”, situata e vështirë që po përjeton Suso në “Milanello” do ta shtynte atë drejt lamtumirës në këtë merkato dimërore. Ndryshimi i agjentit (ai, së fundi u bashkua me Mino Raiola) mund t’i jepte një dorë të madhe në këtë drejtim. Të hënën ka pasur kontakte mes Milanit dhe Romës. Kryeqytetasit duhet të zëvendësojnë Nicolò Zaniolo, i cili e përfundoi sezonin para kohe, pasi këputi ligamentin kryqëzues anterior të gjurit gjatë ndeshjes së humbur kundër Juventusit. Sidoqoftë, ish-lojtari i Liverpool nuk është i vetmi në fokusin e drejtorit sportiv, Gianluca Petrachi.

Nëse do të ishte për Suso, me siguri do të kishte ikur tashmë. Te spanjolli është shumë e fortë dëshira për të ndërmarrë një aventurë të re, që të lërë pas një marrëdhënie të keqe me tifozët dhe një performancë nën pritshmëritë (vetëm një gol dhe dy asiste në 16 ndeshje të Serie A).

Milani po kërkon, gjithashtu, blerës për Krzysztof Piatek. Synimi është i qartë: 30 milionë euro do Maldini dhe Boban për polakun, duke i thënë “jo” propozimit të Tottenham për huazim. Në tryezën e bisedimeve është edhe Franck Kessié, i cili ka admirues në Premier League (Arsenal dhe West Ham).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit