Pasi mori provimin e italishtes, Suarez “i shkel syrin” Juventusit me një fjali

18 Shtator 2020
10:23
Alfred Lleshi
back button

Shpresat e Juventusit janë ende gjallë. E ardhmja e qendrës së sulmit bardhezi gjithmonë e më shumë duket të jetë në duart e Edin Dzeko, por Luis Suarez, dje në Perugia, e la hapur derën që e çon në Torino. Në fund të provimit të italishtes, që e dha dje pasdite në universitetin për të huajt, Suarez, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me transferimin e tij te Juventusi. Një frazë, që akoma iu jep shpresë fansave bardhezinj: “Po, është e mundur”.

Disa orë më vonë mbërriti lajmi se zgjedhja e Paratici do të binte mbi Edin Dzeko, i gatshëm për të nënshkruar një kontratë 2-vjeçare. Po Suarez? Dyshimet në lidhje me afatin teknik për marrjen e pasaportës së BE-së mbeten. 5 tetori është afër, vendet për lojtarët me pasaporta jo të vendeve të BE-së, tashmë kanë mbaruar te “Zonja e Vjetër”.

Suarez e kaloi provimin, i cili zgjati më pak se gjysmë ore dhe doli nga “Palazzina Lupattelli” me certifikatën B1 të njohjes së gjuhës italiane. Për më tepër, gjatë provës, ai gjithashtu foli për qytetin e Torinos. Uruguajani është kthyer në Barcelonë, ku tani do të duhet të kuptojë se çfarë e ardhmeje e pret. Hipoteza e Juventusit, megjithatë, nuk duket se ka mbaruar ende plotësisht. Shpresat e tifozëve për ta parë atë me fanellën bardhezi janë ende të gjalla.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit