Pasion pa moshë! Numëron 1600 ndeshje në 72 vitet e fundit, 11 ekipe dhe 400 gola…

24 Tetor 2019
20:26
back button

83 vjeç dhe të mos e ndjesh peshën e viteve: Dickie Borthwick është një zotëri ende i mbajtur, pavarësisht moshës së tij. Futbolli ka qenë pasioni më i madh i jetës së tij dhe nuk ka asnjë qëllim që të heqë dorë me fikjen e 84 qirinjve në tortën e ditëlindjes së ardhshme.

Futbollisti më i moshuar në Mbretërinë e Bashkuar është rrëfyer ekskluzivisht për “SportBible” dhe është vetëshpallur në formë si një violinë e mirë, madje duke shtuar se është gati për një sfidë të re. Kush do të vendosë të investojë mbi atë, mbase duke mbyllur një sy para kartës së tij të identitetit? Mbase pak reklamë mund t’i bëjë punë.

Dickie është një profesionist shumë serioz. Tenton të përmirësohet ditë pas dite në oborrin e shtëpisë së tij: “Është një mur, stërvis gjuajtjen time duke goditur topin tek ato tullat, për të mbajtur këmbët në formë. Pastaj çdo mëngjes shkoj te porta e shtëpisë dhe bëj 10 frymëmarrje të thella me ajër të freskët dhe e përsëris të njëjtin veprim para se të shtrihem në shtrat”.

Ish-inxhinieri e ka nisur duke luajtur si sulmues, për të kaluar më pas si mesfushor i krahut të majtë. Sot Dickie është një futbollist pa ekip dhe ëndërron një aventurë të re: “Jam i gatshëm për gjithça, më mungon tmerrësisht të luajturit futboll. Sot janë shumë konkurrues dhe kanë futbollistë të moshës 35-40 vjeç. Më parë luanim futboll një herë çdo dy javë. Kisha shokë dhe ndonjërin me të cilin të shkoja në klub pas ndeshjes. Sot ka mbaruar çdo gjë, ato kohë kanë ikur përgjithmonë”.

Kështu, ish-inxhinieri është në kërkim të shanseve të reja, pasi ka marrë pjesë në shumë ndeshje bamirësie: “Ndihem në gjendje që të luaj akoma 90 minuta. Natyrisht që nuk kam qëllim të shtyj sikurse bëja 30 vite më parë, por do të vijoja me ritmin tim që është konstant”. Sikurse është edhe karriera e tij: 83-vjeçari numëron 1600 ndeshje të luajtura në 72 vitet e fundit, 11 skuadra dhe 400 gola. Kushedi se me çfarë fanelle do të shënojë golat e ardhshëm…?

Lajme të tjera

Lajmet e fundit