“Patetik, ka frikë nga topi…”; fansat e Liverpool “masakrojnë” Thiago Alcantara

25 Janar 2021
15:13
Alfred Lleshi
back button

Thiago Alcántara është fytyra më e dukshme e krizës së Liverpool-it më 2021. Mesfushori spanjollo-brazilian nuk po kalon një kohë të mirë, pas disa muajve pasivitet. Kthimi i tij në ekip ka përkuar me momentin më të keq të “Reds” prej një kohe të gjatë. Eliminimi nga “FA Cup” përballë Manchester United, rezultatet e këqija në Premier League, humbja e fundit ndaj Burnley në “Anfield”, e para në shtëpi në 3 vite e gjysmë, e kanë vendosur mesfushorin në syrin e ciklonit.

Ai po shihet fajtor edhe për uljen e kokës, kur erdhi goli i Bruno Fernandes nga goditja e dënimit, i cili në fund të fundit do të ndihmonte “Djajtë e Kuq” të eliminonin Liverpool. Goditja e lirë e portugezit ishte e mirë, por nuk hasi pengesë. Thiago, në vend që ta zmbrapste gjuajtjen, e ruajti kokën nga topi, e uli atë dhe e lejoi “sferën” të shkojë në drejtim të portës dhe në rrjetë. Portieri Alisson nuk kishte çfarë të bënte.

Fansat u ndalën gjatë në rrjetet sociale për këtë moment. “Pyes veten se çfarë do të kishte ndodhur, nëse Thiago nuk do t’i trembej topit”, – shkruan njëri në Twitter. “A do të ishte shmangur ky gol, nëse Thiago do të zgjidhte që topi ta godiste në fytyrë?” – vijon një tjetër. “Thiago uli kokën, mos e godiste topi. Patetik”, – shkroi një i tretë më me forcë.

Realiteti është se Thiago nuk është përshtatur te Liverpool. Edhe para kësaj loje kishte ish-lojtarë të “Reds”, si Dietmar Hamann, i cili tha se e ngadalëson lojën shumë. Në kontekstin e Klopp, në fakt, ai është një futbollist që ende ka nevojë për ambientim. Në pozicionin e “strumbullarit” vuan, sepse nuk tërhiqet dot, aq më tepër tani që është fizikisht larg nivelit të tij.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit