“Për fat të mirë ëndrrat bëhen realitet”; Kumbulla i padurueshëm për finalen e Tiranës

18 Maj 2022
8:57
Alfred Lleshi

Mbrojtësi i Romës, pjesë e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, foli për “Corriere dello Sport” duke reflektuar mbi finalen e “Conference League” të javës së ardhshme, që do të zhvillohet në atdheun e tij.

22-vjeçari e cilësoi përballjen e javës së ardhshme në Tiranë kundër Feyenoord-it si “një ëndërr e bërë realitet”, pasi Roma synon të kapë trofeun e parë evropian.

“Po ju them sinqerisht, mezi po e pres këtë finale, – e filloi fjalën e tij Kumbulla. – Kur mësova në fillim të sezonit se finalja e ‘Conference League’ do të luhej në Tiranë, e bëra menjëherë objektiv në mendjen time arritjen e saj.

Për dikë si unë, i lindur në Itali, por me familje shqiptare, m’u duk si shenjë fati. Për fat të mirë ëndrrat bëhen realitet. Dhe tani na takon ne që ta përfundojmë punën duke mposhtur Feyenoord, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”.

Ai vazhdoi: “Sigurisht që jam i emocionuar, veçanërisht pas asaj që kemi bërë këtë sezon. Ne kemi një grup unik mbështetësish, për të cilët jemi mirënjohës dhe për shkak të tyre kemi një motivim shtesë.

Për shqiptarët kjo finale përfaqëson një mundësi. Dhe e di me siguri se mikpritja e tyre do të jetë shembullore. Ata kanë krijuar një lidhje shumë solide me italianët. Në Tiranë, përveç tifozëve të Feyenoord-it, që do të mbështesin me të drejtë ekipin e tyre, do të kemi një pjesë të madhe të publikut nga ana jonë.

Edhe kryeministri ynë është i dashuruar me Mourinhon. Do të ishte mirë, do të isha gënjeshtar po të thoja se nuk shpresoj ta luaj këtë ndeshje, të paktën për disa minuta. Sidoqoftë, vendimi përfundimtar varet nga trajneri, neve na takon ta respektojmë gjithmonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit