Perez siguron “pole” në Arabi, Leclerc i dyti me penalitet, telashe për Verstappen

18 Mars 2023
19:08
Telesport
back button

Piloti Sergio Perez me Red Bull siguroi mbrëmjen e sotme “pole position” në pistën qytetase të Jeddah, ku nesër do të zhvillohet gara e dytë sezonale e Formula 1, ajo e vlefshme për Arabinë Saudite. Meksikani dha kohën 1’28”265, duke qenë më i shpejti në pistë.

Ai përfitoi nga një problem që pati shoku i tij i skuadrës Max Verstappen, që në sesionin e dytë u detyrua të hapë krahun. Makina e tij Red Bull pati probleme në kambio, duke mos dhënë një kohë dhe do ta nisë garën nga vendi i 15-të. Një goditje e rëndë për kampionin e botës, që do të ketë një garë në sulm.

I dyti u rendit Charles Leclerc me Ferrari, por ai do ta nisë garën nga vendi i 12-të, pas penalitetit me 10 pozicione (ka ndryshuar centralinen). Kështu, vendin e monogaskut në vijën e parë do ta zërë spanjolli Fernando Alonso me Aston Martin, që sot doli i treti, duke lënë pas britanikun George Russell me Mercedes.

I pesti u klasifikua spanjolli Carlos Sainz me Ferrari, që la pas Lance Stroll, Esteban Ocon, Lewis Hamilton, Oscar Piastri e Pierre Gasly. Këta janë 10 pilotët e parë, ndërkohë që nesër pritet një garë spektakolare, duke qenë se Leclerc e Verstappen do ta nisin garën nga mesi i renditjes, duke e bërë mjaft interesante sfidën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit